Hyrja e Audit në Formula 1 mund të shpëtohet dhe të forcohet nga investime të konsiderueshme nga fondi i pasurisë sovrane të Katarit, duke anashkaluar sfidat financiare me të cilat përballet aktualisht Grupi Volkswagen.
Raportet e kësaj jave sugjerojnë se Audi, i cili së fundmi bleu Sauber në një marrëveshje me vlerë 600 milionë euro, tani mund të shesë deri në 50% të ekipit F1 me bazë në Zvicër në Katar, potencialisht me një sponsorizim nga “Qatar Airways”.
Çmimi i përfolur për aksionet e pjesshme vlerësohet në 1 miliard euro.
“Tani Audi po vjen”, tha ish-shefi i F1, Bernie Ecclestone për gazetën “Blick”, “por në situatën aktuale, gjermanët ndoshta nuk janë të pakënaqur që disa njerëz nga Katari po tregojnë interes për projektin e ri dhe duan të përfshihen”.
Burimet tregojnë se partneriteti i Audit në F1 me Katarin, i cili tashmë ka një aksion të rëndësishëm te Volkswagen, mund të shpallet zyrtarisht në GP-në e ardhshme të Katarit.
“Sipas disa raporteve të mediave, sheikët pritet të investojnë deri në 1 miliard euro”, raportoi gazeta gjermane “Bild”, duke shtuar se një shumicë pronësie mund të çojë përfundimisht në një ndryshim të emrit të ekipit.
Edhe pse Audi nuk ka komentuar ende për këtë çështje, “La Gazzetta dello Sport” raporton se aksionet fillestare të Katarit ka të ngjarë të jenë një investim pakicë pa ndryshime të mëdha në markën ose menaxhimin e ekipit.
“Por nuk përjashtohet që në të ardhmen fondi të synojë pjesën më të madhe të ekipit, si dhe fabrikën e motorëve (Audi) në Neuberg të Gjermanisë”, shtoi gazeta italiane. /Albanianpost.com