Agjencia e Statistikave të Kosovës, përmes një conference për media sot prezantoi ecurinë e një jave të punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë.
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati tha se procesi po shkon ashtu siç është planifikuar, anipse kanë disa sfida nga komuniteti serb.
Ai iu bëri thirrje të gjitha komuniteteve për regjistrim, sidomos atyre serb, duke potencuar se ky regjistrim nuk kthehet prapa.
“E rëndësishme është që komuniteti serb ta kuptojë që regjistrimi i popullsisë nuk kthehet mbrapa. Mospjesëmarrja në nënkupton institucionet nuk mund të ofrojnë shërbime. Nëse nuk je pjesëmarrës në regjistrim, shumë shërbime në të ardhmen mund të mos i ketë, sepse duket sikur nuk ekziston. I bëj thirrje të gjitha komuniteteve posaçërisht atij serb, që ta shfrytëzoj këtë regjistrim pasi kur je i regjistruar dukesh se je gjallë”- tha Kastrati.
Kujtojmë se, ditë më parë, politikani serb, Aleksandar Jabllanoviq u ka bërë thirrje qytetarëve të veriut të Kosovës që ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë.
Ndryshe, ASK njoftoi se për një javë 7 mijë e 643 intervista që kanë përfunduar në terren.
Procesi i regjistrimit të Popullsisë të këtij viti ka filluar me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024. /Klankosova.tv/