Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të mallrave në brezin kufitar mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Sipas njoftimit, rasti është evidentuar më 9 shtator, kur zyrtarët policorë kanë identifikuar dhe ndaluar një automjet të dyshuar, pa targa, i cili dyshohet se po transportonte mallra të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut.
Gjatë kontrollit të automjetit, i cili drejtohej nga një person mashkull, shtetas i Kosovës, janë gjetur sasi të ndryshme mallrash, përfshirë susam, qumësht pluhur, boca gazi, poça elektrikë dhe çokollata.
Sipas vlerësimit fillestar, vlera e mallrave arrin në rreth 20 mijë euro, pa përfshirë akcizat dhe detyrimet doganore që mund të jenë shmangur.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës mbi prejardhjen e mallrave.
I dyshuari, së bashku me automjetin, është shoqëruar në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Kllokot, për procedim të mëtejmë të rastit.
Ndërkohë, pas konsultimit me prokurorin, mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganes së Kosovës për procedurat e mëtejshme. /RTKlive