Kamberi kërkon nga Prishtina e Tirana të jenë më të pranishme në Luginë

Përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, deklaratat e kryetarit të Preshevës Shqiprim Arifi i ka quajtur “mendjeshkurtër”, pasi kërkesë e Arifit ishte që Kosova të mos ndërhyjë në Luginë.

Kamberi, konsideron se është “jetike”, prezenca e Prishtinës dhe e Tiranës zyrtare në tri komunat ku jetojnë shqiptarët.

“Shpresoj për një prezencë sa më të madhe të Prishtinës dhe Tiranës në Luginë të Preshevës. Kjo është me rëndësi jetike për neve. Është mendjeshkurtër, shkurt pamës një politikan nga Lugina e Preshevës, i cili del dhe publikisht thotë se nuk ka çka përzihet Kosova në Luginë të Preshevës”.

“Pa Kosovën, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e kanë fare mundësinë as të ekzistencës biologjike në këtë shtet, i cili me qindra herë ka dëshmuar se është fashist ndaj nesh”.

“Prandaj, sa më e madhe të jetë prezenca e Kosovës këtu, qoftë me projekte, sugjerime, me këshilla, apo me cilën do metodë të veprimit për të ndihmuar nevojat e Luginës së Preshevës, do të jetë pozita jonë më e volitshme”, deklaron Kamberi për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ndër të tjera, ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që të hartojnë një program shtetëror për ndihmë për Luginën e Preshevës.

“Në Prishtinë të ketë një program shtetëror për ndihmë dhe për marrjen e përgjegjësive për Luginë të Preshevës dhe natyrisht një program të ngjashëm duhet ta ketë edhe Tirana, e cila sipas kushtetutës të vet e ka obligim që të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë”.

“Këtë moment mendoj që shqiptarët në Luginë të Preshevës, janë pjesa më e rrezikuar e kombit, nga një shtet i cili po dëshmohet çdo ditë që është destabilizues në aspekt rajonal”.

Kamberi sqaron se stabiliteti i përgjithshëm arrihet vetëm përmes marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pavarësisht se Serbia është një shtet i cili është në procesin e integrimit në Bashkim Evropian. Por, po ashtu është një shtet i cili refuzon me këmbëngulësi dhe me një urrejtje të shfaqet publikisht, të respektojë komunitetet, të respektojë diversitetet brenda territorit të vet. Në gjithë proceset që janë zhvilluar në vitin që shkoi, nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaron Kamberi.

Kritikues është edhe ndaj shqiptarëve, të  cilët thotë se nuk ishin të unifikuar në një listë zgjedhore për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të prillit në Serbi.

“Nuk arritëm të kemi një unifikim të plot të faktorit politik për shkak të koncepteve, për shkak të faktit se kishim një koncept politik që mbrohej kërkesa që me Serbinë të jemi më pragmatik, jo lojë rezistues, jo luftues dhe koncepti që ne kemi si koalicion i shqiptarëve të luginës e kemi mbrojtur se ne duhet të vazhdojmë me konceptin tonë të rezistencës politike në parlament, derisa ta detyrojmë këtë shtet që të ulet dhe të na trajtojë si partner i barabartë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prill të vitit 2022 kishte ftuar në takim përfaqësuesit e Luginës, ku kishte kundërshtuar shkarkimin e Ardita Sinanit dhe kishte thënë që nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin.

Pas dy dekadash shqiptarët që jetojnë në pjesë e Luginës së Preshevës kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Bazuar në rezultatet e para, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare ka më shumë se 100 mijë banorë /Albanianpost.com

Read Previous

CIES publikon renditjen e fundit të vlerës së futbollistëve, shumë befasi në listë

Read Next

Piramida e Tiranës, mes projekteve më të shumëpritura arkitekturore