E ndërtuar në shekullin XIX, Kulla e Sylejman Vokshit është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1980 si vlerë e trashëgimisë historike të Kosovës. Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini thekson se është shumë e rëndësishme që tashmë ky monument historik ka filluar të restaurohet.
Tutje Gjini tha se restaurimi I këtij objekti të rëndësishëm financohet nga Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit.
Në këtë kullë ka lindur Sylejman Vokshi, i cili ka qenë delegat i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kryesues i komisionit të financave. Pikërisht nga Kulla e tij kishte nisur aksioni i parë i armatosur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndryshe, kulla e Sylejman Vokshit në vitin 2018 është bërë pjesë e listës së Ministrisë së Kulturës, si trashëgimi kulturore me mbrojtje të përkohshme. Sot e kësaj dite kjo kullë vazhdon të mbetet njëra ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Gjakovës dhe jo vetëm.