Nicolo Fagioli ishte lojtari i fundit i akademisë së Juventus-it që u largua nga klubi dhe mediat italiane raportojnë se bardhezinjtë kanë fituar mbi 100 milionë euro nga shitjet e lojtarëve të NextGen (ekipi U-23) në dy dritaret e fundit të transferimeve.
Italiani iu bashkua Fiorentina-s në ditën e fundit të merkatos. Violat paguan 2.5 milionë euro për huazimin e lojtarit deri në fund të sezonit dhe kanë detyrimin për të blerë për 13.5 milionë euro plus 3 milionë euro shtesa.
Fagioli ishte vetëm produkti i fundit i akademisë së Juventus-it që u largua nga klubi gjatë shtatë muajve të fundit.
Siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, “Zonja e Vjetër” fitoi 103 milionë euro nga shitjet e lojtarëve të Next Gen gjatë dy dritareve të fundit të transferimit: verës 2024 dhe janarit 2025.
Të ardhurat më të larta erdhën nga kalimi i Matias Soule-x te Roma për 25.6 milionë euro verën e kaluar, por lista përfshin gjithashtu Dean Huijsen, i cili iu bashkua Bournemouth-it për 15.2 milionë euro plus shtesa dhe një klauzolë shitjeje, Enzo Barrenechea-n dhe Samuel Iling Junior-in, të cilët nënshkruan për Aston Villa-n në verë për 22 milionë euro për një tarifë të përbashkët.
Kaio Jorge, Koni de Winter dhe Hans Nicolussi Caviglia janë të tjerë ish-lojtarë të Juventus NextGen që u larguan nga Torino në fillim të sezonit aktual.
Juventus-i ishte klubi i parë i Serie A që krijoi një skuadër të dytë, Juventus NextGen, për të luajtur në divizionin e tretë të Italisë, Serie C. Kjo i lejoi futbollistët e rinj të luanin në një ligë profesionale dhe jo në Primavera dhe të ishin më të përgatitur për futbollin e ekipit të parë.
Ndërkohë, Kenan Yildiz, Samuel Mbangula, Nicolo Savona dhe Jonas Rouhi janë katër yje të tjerë të Next Gen të cilët aktualisht janë pjesë e rëndësishme e ekipit të parë të bardhezinjëve. /Albanianpost.com