Prej sot e deri më datë 18 maj, anekënd botës do të kremtohet Java Globale e Sigurisë Rrugore. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mandatoi OBSH-në dhe komisionet rajonale që të planifikojnë dhe organizojnë aktivitete kombëtare dhe lokale, për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e sigurisë rrugore.
Lëndimet në trafikun rrugor janë shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë në mbarë botën, me afro 1.2 milionë njerëz të vrarë dhe deri në 50 milionë të plagosur çdo vit. Aksidentet rrugore janë vrasësit kryesorë të të rinjve të moshës 5-29 vjeç. Globalisht, më shumë se 1 në çdo 4 vdekje ndodhin tek këmbësorët dhe çiklistët.
Kjo është java e 8-të që OKB-ja organizon për sigurinë rrugore duke ofruar një mundësi për të nxitur veprime në nivel kombëtar dhe lokal për ta bërë të sigurt ecjen dhe çiklizmin, duke theksuar ndërhyrjet konkrete dhe specifike që mund të ndërmerren nga palë të ndryshme të interesuara – qeveritë, agjencitë ndërkombëtare, shoqëria civile, bizneset dhe shkollat.
Këto veprime do të ndihmojnë në promovimin dhe lehtësimin e ecjes dhe çiklizmit, të cilat janë mënyra transporti më të shëndetshme, të gjelbra, të qëndrueshme dhe ekonomikisht më të favorshme./atsh