Futbollisti i Kombëtares shqiptare të futbollit, Jasir Asani, ka thënë së fundmi se kur është thirrur të luajë për herë të parë me kuqezinjtë, nuk e ka zënë gjumi nga emocionet.
Gjatë një interviste për emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, ai ka treguar edhe gjithë peripecitë e kualifikimit, si edhe ka komentuar golat e tij spektakolarë, të cilët e kanë ndihmuar Shqipërinë të marrë pjesë në Euro 2024 – të dytin turne madhor në histori, pas Euro 2016.
28-vjeçari shkupian, i cili ka luajtur vetëm nëntë ndeshje me Kombëtaren, përshkroi fillimisht se kur është larguar për në Korenë e Jugut, ku ai ende luan, je më larg Kombëtares dhe i kishte humbur shpresat për t’u thirrur me kuqezinjtë.
Ikja nga Evropa sipas tij, e bën shumë të vështirë një grumbullim të mundshëm me ekipin.
“Gjithsesi, puna dhe sakrifica që kam bërë, e meritoja një ftesë që ta tregoja veten time si futbollist, a ia vlen të jem pjesë e Kombëtares apo jo”, tregoi më tej.
“Kur erdhi ftesa, nuk kam fjetur gjumë, s’bëhet fjalë, është një emocion shumë i madh, që nuk mund ta përshkruash nëse nuk e vesh këtë fanellë ose ftesa nga Kombëtarja kur e pret”, përmbylli Asani.