Nga frika për jetën e tij, Ahmadi u largua nga shtëpia e tij në Kabul pak kohë pasi talebanët morën kontrollin e qytetit. Tani ai gjendet në një shtëpi të sigurt në kryeqytetin afgan dhe me dëshpërim po pret që të largohet nga Afganistani. Por, shpresa e tij që të largohet i sigurt me avion në një shtet tjetër, po zbehet shumë shpejt.
Luftëtarët talebanë kanë vendosur pika të kontrollit jashtë aeroportit të Kabulit dhe po parandalojnë –shpesh edhe me dhunë – mijëra afganë, që kanë dokumente udhëtimi, që të largohen me aeroplanë nga vendi i shkatërruar nga lufta.
“Jam bllokuar këtu”, thotë Ahmadi, i cili nuk dëshiron t’i publikohet emri i vërtetë, pasi ka frikë nga hakmarrja e talebanëve. “Tani nuk ka rrugëdalje”, shton ai.
Ahmadi është në listën për evakuim pasi posedon Vizës të Posaçme të Imigrimit të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara. Ai po ashtu ka pranuar një email, ku i është kërkuar që të shkojë në aeroport. Por, ai nuk është informuar se në cilën portë të aeroportit të hyjë, duke u detyruar që të tentojë të hyjë në aeroportin e Kabulit nga disa pika hyrëse.
Edhe po të ishte pranë portës së duhur, talebanët veçse ia kanë ndaluar hyrjen në aeroport pesë herë në dy ditë të ndryshme. Gjatë përpjekjes së tij të fundit më 19 gusht, luftëtarët talebanë, të armatosur me pushkë, qëlluan drejt tij, por për pak plumbat nuk e kapën.
“Isha me fat që nuk u vrava”, thotë Ahmadi për rel. “Tani, nuk e di se cila është më e rrezikshme: të shkosh në aeroport apo të qëndrosh dhe të jetosh nën sundimin e talebanëve”.
Mijëra afganë, që nuk kanë dokumente udhëtimi, kanë vërshuar aeroportin që prej se talebanët morën nën kontroll Kabulin më 15 gusht. Ata po shpresojnë që të hipin në ndonjë prej avionëve, për të ikur jashtë vendit.
Qeveritë perëndimore janë deklaruar se dëshirojnë të evakuojnë nga Kabuli afganët që janë në rrezik.
Të paktën 12 persona raportohet se janë vrarë në dhe përreth aeroportit, përfshirë edhe disa afganë, të cilët ishin kapur në avionët në lëvizje të forcave ajrore amerikane dhe më pas ranë nga ajri.
Të tjerë janë vrarë nga të shtënat e luftëtarëve talebanë apo të forcave amerikane, ose vdiqën pasi u shtypën nga turmat.
Kaosi në aeroportin e Kabulit ka bërë që mijëra afganë që kanë dokumente udhëtimi, sikurse Ahmadi, të mos mund të hipin në avionë për t’u larguar nga Afganistani.
Dëshmitarët thanë se luftëtarët talebanë, disa prej tyre që bartnin shkopinj dhe kamxhik, po lejojnë qytetarët e huaj të hyjnë në aeroport, por po ua ndalojnë hyrjen shumë afganëve, edhe atyre që kanë pasaporta të huaja.
Teksa qeveritë e huaja po e kanë të pamundur që të sigurojnë që pasagjerët të mund të arrijnë sigurt në aeroport dhe të evakuohen, disa avionë janë nisur nga Kabuli me pothuajse asnjë pasagjer.
Një avion nga Gjermania, që është në gjendje të transportojë 150 pasagjerë, gjatë kësaj jave u largua nga Kabuli me vetëm shtatë njerëz në bord, gjë që nxiti kritika të mëdha.
“Të shkosh deri në aeroport është mision i pamundur”, thotë një aktivist afgan për të drejtat e njeriut, që nuk arriti të fluturonte drejt Stambollit, një destinacion mjaft popullor për shumë afganë. Turqia është një prej shteteve të pakta që u jep viza – edhe pse me çmime gjithnjë e më të larta – afganëve.
“Talebanët po e bëjnë shumë të vështirë për afganët që duan të largohen”, tha ai, që foli në kushte anonimiteti. “Ata mendojnë se njerëzit që largohen janë skllevër të të huajve dhe ata e meritojnë që të trajtohen në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Luftëtarët talebanë kanë shkuar derë më derë në Kabul, duke bastisur shtëpi dhe nganjëherë duke rrahur, kërcënuar apo rrëmbyer banorët. Shpesh ata u kanë konfiskuar qytetarëve dokumentet personale dhe telefonat mobilë, thonë banorët lokalë.
Banorët thonë se luftëtarët talebanë veçanërisht janë duke shënjestruar ish-punonjësit qeveritarë, ish-ushtarët dhe zyrtarët policorë dhe afganët që kanë punuar me qeveritë dhe organizatat e huaja.
Dhjetëra banorë afganë kanë thënë se kanë shkatërruar çdo dokument që i lidh ata me qeverinë e kaluar ose me punën që kanë bërë me entitetet e huaja.
Në shumë zona, militantët ua kanë ndaluar grave që të largohen nga shtëpitë e tyre nëse nuk shoqërohen nga një i afërm mashkull dhe po ashtu u kanë ndaluar grave që të punojnë jashtë shtëpive të tyre. Ata po ashtu kanë kufizuar ashpër edukimin e vajzave dhe madje kanë detyruar vajzat e reja dhe gratë e veja që të martohen me luftëtarët talebanë, thonë banorët lokalë.
Derisa Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore po vazhdojnë të evakuojnë shtetasit e tyre dhe stafin e tyre afgan nga Kabuli, miliona afganë nuk kanë shumë zgjidhje, pos të qëndrojnë në Afganistan./GazetaSinjali