Ishulli i trëndafilave, vendi i perëndive dhe nimfave

Rodosi, ishulli më lindor i Egjeut, i njohur jo vetëm për plazhet dhe natyrën befasuese, por edhe për trashëgiminë historike e arkeologjike që ka ndikuar në të gjithë historinë e Evropës dhe Mesdheut. I famshëm edhe për kolosin legjendar të Rodosit, një nga shtatë mrekullitë e botës antike, ku dikur ankoronin të gjitha anijet.

Ishulli është quajtur edhe ishulli i trëndafilave apo i drerëve dhe këto emërtime janë frymëzuar nga natyra e vendit, e përkëdhelur nga erërat e ngrohta dhe deti i kristaltë.

Lindja hyjnore

Poeti grek Pindari, shkroi se ishulli u krijua nga bashkimi i Apollonit, perëndisë së diellit me nimfën e detit Rodos. E gjithë bota e lashtë kalon nëpër Rodos, nga akejtë 1500 vjet para Krishtit, e deri te dorianët. Shkollat ​filozofike të Rodosit rivalizonin ato të Athinës dhe Aleksandrisë. Fillimisht, ishulli ra në duart e romakëve, mandej u dominua nga bizantinët dhe gjithashtu ra nën zotërimin italian nga viti 1912 deri në vitin 1947, kur iu kthye sërish Greqisë.

Qyteti i vjetër

Rodosi, karakterizohet nga një qendër historike mesjetare, e rrethuar me katër kilometra mure. Në mbrëmje, vendasit dhe turistët, ecin nëpër rrugicat piktoreske të qytetit të vjetër, duke u ndalur në restorantet e shumta dhe dyqanet artizanale. Askush nuk largohet nga Rodosi pa vizituar Muzeun Bizantin, ku ruhet statuja madhështore e Venusit të Rodosit. Pak kilometra larg kryeqytetit, gjendet dhe Tempulli i famshëm i  Apollonit.

Fshati Lindos

Rreth pesëdhjetë kilometra nga Rodosi ndodhet Lindosi i bukur, një fshat me shtëpi të bardha dhe rrugica karakteristike, të mbushura me bare dhe restorante të vogla shumë mikpritëse, që ofrojnë recetat e gastronomisë së shijshme të ishullit. Në Lindos gjendet një kështjellë e fortifikuar, e ndërtuar në të njëjtin vend ku qëndronte më parë një akropol dhe një vend i shenjtë kushtuar Athinës.

Plazhet e jashtëzakoshme dhe banjat termale

Bregdeti lindor i Rodosit, karakterizohet nga plazhe me rërë dhe është më pak i frekuentuar nga turistët. Plazhet perëndimore me guralecë janë më të preferuara. Ndër to, ai në Lindos konsiderohet ndër më të bukurit në të gjithë Greqinë, edhe për detin e kristaltë. 

Një vend tjetër fantastik pranë Rodosit, është dhe Kalithea, e zhytur në gjelbërimin e pishave dhe palmave, e famshme edhe për banjat termale të ndërtuara nga italianët në fillim të shekullit të 20-të dhe të restauruara vitet e fundit. Prassonissi është vendi ideal për adhuruesit e sërfit dhe sporteve ujore, ku rëra e artë dhe dallgët e mëdha janë favorizuese për këto aktivitete. Aktori Anthony Quinn (Zorba) u dashurua pas një gjiri të mrekullueshëm në këtë vend, që mori më pas emrin prej tij.

Kuzhina

Vakti tipik në Rodos fillon me mezede (meze), ku mbizotëron sallata greke, peshku i skuqur, tzatziki dhe qofte. Nuk mungon djathi i mbështjellë me brumë dhe i veshur me mjaltë e susam, kroketat me qiqra, rizoto me kallamar, oktapodi i marinuar në stilin grek dhe psarosoupa, një supë e shijshme peshku me patate.

/A2news/

Read Previous

Të hënën nis reciprociteti për targat, vazhdon fushata informuese për qytetarët për pajisje me targa “RKS”

Read Next

Efektet që ka në trupin tonë vapa e fortë e këtyre ditëve