Ishte paraparë të mbahet sot, por shtyhet për 7 maj seanca gjyqësore për rastin e Agonis Tetajt

Me kërkesë të avokatit të të pandehurit Shaban Gogaj, Besnik Berisha seanca për rastin e të ndjerit Agonis Tetaj është shtyrë nga trupi gjykues për datën 07 maj në ora 10:00.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Sipas saj, kjo kërkesë nga avokati Berisha u bë pasi ai kishte seanca tjera gjyqësore të caktuara për datën e sotme.

“Jo sot nuk është duke u mbajt seanca është shty për datën 07 maj në orën 10:00. Paraprakisht avokati i të pandehurit Shaban Gogaj ka kërkuar që seanca të shtyhet për shkak se ka pas seanca të caktuara më herët për datën e  sotme. Menjëherë atë ditë kur është vendos seanca për rihapjen e shqyrtimin gjyqësor dhe është caktuar data e seancës dhe ai e ka njoftuar trupin gjykues se nuk mund të jetë prezent për shkak se i ka seancat e tjera për këtë datë. Palët janë njoftuar më herët për shtyrjen e kësaj seance”, ka thënë Zhuti.

Ndryshe, javë më parë u publikua video ku shihej vrasja e Agonis Tetajt në vendin e tij të punës në Deçan në kompaninë “Gogaj Ag”.

Për vrasjen e Agonis Tetajt është duke u akuzuar Shaban Gogaj, ndërkaq Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë që e ngarkonte Shaban Gogajn për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Por më pas lënda i është kaluar Prokurorisë së Gjilanit.

Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit ka përfaqësuar këtë lëndë në gjykatë, ku në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar vrasjen e Agonis Tetajt si “vrasje nga pakujdesia”.

Pas kësaj, babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, përmes një shkrimi publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Pas kësaj letre dhe pas pamjeve të publikuar prokurori Agron Uka është përjashtuar nga rasti dhe çështja i ka kaluar një prokurori tjetër.

Në të njëjtën kohë Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar nga trupi gjykues që të mos e shpall aktgjykimin pasi që kishte kërkuar që të bëhen hetime të mëtutjeshme për të marrë prova të tjera të nevojshme për zbardhjen e rastit.

Gjykata e Pejës kishte marrë vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor. /Telegrafi/

Read Previous

Bardhi: Deri më tani 20 mijë të vaksinuar kundër Covid-19 në Kosovë

Read Next

Bardha Buza, piktorja që ndërlidh realen me abstrakten