Ish-ministri i Jashtëm gjerman kërkon rikthimin e shërbimit ushtarak dhe përfshirjen e grave në ushtri

Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer është shprehur në favor të kthimit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ai kërkon edhe angazhimin e grave në ushtri.

Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer është shprehur se numri i ushtarëve të ushtrisë gjermane është i ulët.

Politikani i Gjelbër tha për revistën “Der Spiegel” se njeriu duhet të mbrojë lirinë e vet dhe, nëse është e nevojshme, edhe të luftojë për të.

Ish-zëvendëskancelari i Gjermanisë theksoi se kjo vlen edhe për gratë: “Ose kemi barazi ose jo”, tha ai.

Fischer pranoi se, nga perspektiva e sotme, qëndrimi i tij i mëparshëm kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak kishte qenë gabim.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius kishte deklaruar se një kthim në shërbimin e detyrueshëm ushtarak mund të jetë i mundur në kushte të caktuara.

Deri tani, qeveria planifikon të prezantojë një model të bazuar fillimisht në angazhim vullnetar.

Ndërkohë, presidenti i Shoqatës së Forcave të Armatosura Gjermane, Andre Wüstner, angazhohet për zbatimin e shpejtë të një shërbimi të ri të detyrueshëm ushtarak.

Ai i tha agjencisë gjermane të lajmeve dpa (Deutsche Presse-Agentur) se do të ishte e papërgjegjshme të mos përgatitesh për shërbim të detyrueshëm ushtarak. /DW/

Read Previous

Çka u bisedua në takimin Kurti – Hamza?

Read Next

Për tri ditë 177 raste në emergjencën e spitalit “Isa Grezda”