Irani paralajmëron se lufta do të përhapet nëse vijon bombardimi i Gazës

Ministri i Jashtëm i Iranit paralajmëroi të premten se nëse sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës nuk ndalen menjëherë, dhuna mund të përhapet në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.

Hossein Amirabdollahian është në një turne që e çoi në Bagdad para Bejrutit dhe më vonë gjatë ditës ai shkoi në kryeqytetin sirian, Damask.

Irani kryeson të ashtuquajturin “bosht të rezistencës” që përfshin grupe të fuqishme militante në rajon, si Hezbollahu në Liban dhe Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak.

Amirabdollahian foli me gazetarët në Bejrut pas një takimi me homologun e tij libanez, gjatë të cilit të dy zyrtarët bënë thirrje për t’i dhënë fund sulmeve të Izraelit në Gaza.

Ai u takua gjithashtu me liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe me kryeministrin e përkohshëm Najib Mikati dhe kryetarin e parlamentit.

Ka pasur shqetësime se lufta mund të përhapet në kufirin e Libanit, ku luftëtarët e Hezbollahut kanë qenë në gatishmëri pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor të shtunën që la të vdekur qindra njerëz.

Të enjten, ushtria izraelite goditi dy nga aeroportet kryesore ndërkombëtare të Sirisë, në Damask dhe Aleppo, duke i nxjerrë jashtë shërbimit.

Fluturimet u devijuan në një aeroport në provincën bregdetare të Latakias. Sulmet erdhën pasi predha u hodhën nga Siria në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli.

Aktet sporadike të dhunës përgjatë kufirit Liban-Izrael gjatë ditëve të fundit lanë të vrarë tre luftëtarë të Hezbollahut të hënën. Ushtria izraelite tha se një ushtar izraelit u vra në një sulm me raketa antitank të mërkurën.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka paralajmëruar lojtarët e tjerë në Lindjen e Mesme që të mos i bashkohen konfliktit, duke dërguar anije luftarake amerikane në rajon dhe duke u zotuar për mbështetje të plotë për Izraelin.

“Ajo që është qesharake është se në një kohë kur Amerika u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje, ajo po lejon kriminelët në entitetin e rremë sionist të vrasin gra, fëmijë dhe civilë në Gaza”, tha Amirabdollahian.

Ai paralajmëroi se “nëse këto krime të organizuara lufte që kryhen nga entiteti sionist nuk ndalen menjëherë, atëherë ne mund të imagjinojmë çdo mundësi”.

Ai nuk dha detaje, por ishte një aluzion i dukshëm se grupet e mbështetura nga Irani mund t’i bashkoheshin luftës.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Ali Barakeh i tha Associated Press këtë javë në Bejrut se aleatët si Irani dhe Hezbollahu libanez “do t’i bashkohen betejës nëse Gaza i nënshtrohet një lufte asgjësimi”.

Amirabdollahian u bëri thirrje ministrave të jashtëm dhe liderit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, një grup prej 57 vendesh me popullsi të rëndësishme myslimane, që të zhvillojnë një takim për të diskutuar situatën në Gaza. /Albanianpost.com

Read Previous

​Avioni i parë amerikan me shpejtësi më të madhe se zëri

Read Next

Broja rikthehet në stërvitje me Chelsea