Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se ka suspenduar tre policë për tejkalim të autorizimeve për një rast të së hënës në Ferizaj.
Lajmin e ka bërë të ditur IPK-ja përmes një komunikate për media.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve pas publikimit të një video në medie, sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Ferizaj”.
Lidhur me rastin, IKP-ja ka sqaruar se janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore.
“Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 23.12.2024 në Ferizaj në orët e vona të natës kur policia kishin ndaluar një të dyshuar i cili nuk ishte ndaluar me veturën e tij dhe policia i ishte vënë në ndjekje. Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Veprimi nga policia është cilësuar si “lëndim i lehtë truport”.
“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për tejkalim të autorizimeve dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast është thënë se do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent. /Albanianpost.com