Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë orëve të vona të së dielës dhe të cilat kanë vazhduar edhe gjatë ditës sotme kanë shkaktuar ngritje të nivelit të ujit në disa zona.
Një gjë e tillë është parë edhe në disa rajone të komunës së Gjakovës. Përkundër këtyre reshjeve situata në këtë komunë është nën kontroll për momentin. Sipas shefit të shtabit të emergjencave Vehat Hoxhaj, vërshime mund të priten ditëve në vijim. Hoxhaj përmes telefonit ka thënë për televizionin Syri se që nga mëngjesi, ekipet emergjente janë në teren dhe po monitorojnë situatën dhe janë duke intervenuar në ato zona ku niveli i ujit është më i madh.
Nuk ka vërshime përveç një rasti në Rugovë, ku uji është futur në shtëpinë e një familjeje. Në zyrën për menaxhimin e emergjencave nuk ka pasur thirrje në numrin emergjent 112. Ndonëse niveli i ujit të lumenjëve është rritur situata nuk është alarmante, dhe ekipet emergjente janë në shërbim të qytetarëve, ka thënë tutje Hoxhaj teksa ka apeluar që të gjithë që përballen me vërshime të lajmërohen në numrin 112 për raste emergjente.
Ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se këto reshje që kanë përfshirë tërë vendin gjatë këtyre ditëve, do të shndërrohen në reshje të borës, sidomos në zonat më të larta malore. Zyrtari i këtij instituti Bashkim Kastrati ka deklarauar gjatë ditës sotme në media se në disa pjesë të Gjakovës mund të ketë vërshime të shpejta.
“Në përgjithësi nuk ka vërshime, por në disa pjesë të komunës së Gjakovës kryesisht pjesa perëndimore, lumenjtë të cilët rrjedhin nga Bjeshkët e Nemuna, pra Ereniku me degët e tij mund të paraqesin vërshime të shpejta, shkaku i reshjeve të shiut të cilat kanë filluar më herët në atë zonë. Por këto reshje që kanë përfshirë tërë vendin gjatë orëve të pasdites do të shndërrohen në reshje të borës, sidomos në zonat më të larta malore”, ka thënë mes tjerash Kastrati.