Inspektorati: FBI-ja duhej të kishte mbledhur më shumë informacione zbulimi para trazirave në Kapitol

FBI-ja do të duhej të kishte bërë më shumë për të mbledhur informacion zbulimi para trazirave në Kapitol, ndonëse byroja kishte bërë përgatitjet për mundësinë e shpërthimit të dhunës më 6 janar të vitit 2021.

Kështu thuhet në raportin e publikuar të enjten nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm.

Sipas raportit, asnjë agjent sekret i FBI-së nuk ishte i pranishëm dhe asnjëri nga informatorët e byrosë nuk ishin autorizuar të merrnin pjesë.

Raporti i përpiluar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Departamentit të Drejtësisë hedh poshtë një teori konspiracioni, të cilën e nxorën në pah disa ligjvënës republikanë në Kongres, se FBI-ja kishte luajtur rol në nxitjen e ngjarjeve atë ditë, kur protestuesit të cilët ishin të vendosur të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që nxorën fitues Presidentin demokrat Joe Biden, hynë në ndërtesë me forcë, duke u përplasur me policinë.

Raporti i rishikimit u publikua gati katër vite pas këtij kapitulli të zymtë në histori që shkundi themelet e demokracisë amerikane.

Ndonëse i kufizuar në çështjet që trajton, raporti synon të hedhë dritë mbi çështjet që vazhdojnë të brejnë debatin publik, përfshirë nëse kishin ndodhur dështime të mëdha të burimeve të zbulimit para protestës dhe nëse ndokush në turmën e protestuesve po vepronte në emër të FBI-së.

Ky është hetimi i fundit i madh për një ditë të veçantë në historinë e Shteteve të Bashkuara që deri më tani ka nxitur hetime nga ligjvënësit si dhe ngritje të padive në nivel shtetëror dhe federal.

Zyra e Inspektorit gjeti se 26 informatorë të FBI-së ishin në Uashington për protestat që lidheshin me zgjedhjet më 6 janar dhe se ndonëse tre hynë në ndërtesë, apo në zonën përreth, asnjëri prej tyre nuk ishte i autorizuar nga byroja të bënte një gjë tillë e as të shkelnin ligjin apo të nxisnin të tjerët të bënin një gjë të tillë.

Raporti gjithashtu gjeti që FBI-ja kishte bërë hapat e duhur për t’u përgatitur për ngjarjet e 6 janarit, por se kishte dështuar të mblidhte nga 56 zyrat e saja në terren informacione të rëndësishme zbulimi, raporton VOA.

/GazetaSinjali/

Read Previous

SHBA njofton ndihmë të re ushtarake prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën

Read Next

Kush janë aktorët e huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës?