India do të vazdojë eksportin e vaksinave kundër COVID-19 nga tetori, kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë Mansukh Mandaviya.
Mandaviya tha se prodhuesit e vaksinave në Indi “pritet të prodhojnë më shumë se 300 milionë doza” në tetor për nevojat e vaksinimit në vend duke shtuar se të gjitha dozat që do të teprojnë do t’i dërgohen shteteve të tjera në luftën globale kundër COVID-19.
“Ne do të ndihmojmë botën, dhe përmes Covax ne gjithashtu do të përmbushim përgjegjësinë tonë”, u tha ai gazetarëve të hënën.
Prodhuesi më i madh i vaksinave në botë kishte ndaluar eksportin e vaksinave në muajin prill në mënyrë që të arrijë të përmbushë kërkesën e brendshme, pasi infeksionet u shtuan.
Njoftimi për rifillimin e eksportit të vaksinave erdhi ndërsa kryeministri Narendra Modi ka vizituar Washingtonin të martën për një samit të udhëheqësve të Quad – SHBA, India, Japonia dhe Australia.
/Klankosova.tv/