Incidenti me simbolet shqiptare, Daku: I tregova gjyqtarit se këto flamuj janë provokues ndaj lojtarëve por nuk u hoqën

Mirlind Daku foli pas ndeshjes ku Shqipëria u mund 2-0 nga Çekia, por përtej futbollit, në tribuna ndodhi një incident që përfshinte simbolet kombëtare shqiptare.

“E kemi parë dhe unë për shembull kam komunikuar me gjyqtarin. Këtu nuk i hoqën. Unë jam edhe më i riu këtu dhe nuk mund t’i marr vendimet për të ndalur ndeshjen. E drejta ime ishte vetëm t’i tregoja gjyqtarit”, tha Daku pas ndeshjes.

“I tregova se këto flamuj janë provokues ndaj lojtarëve. Por nuk u hoqën. Nuk kemi çfarë të bëjmë, jemi shtet i vogël…”, deklaroi sulmuesi.

Tifozët e Çekisë shfaqën tre flamuj të Shqipërisë me kokë poshtë dhe me një shenjë “X” te shqiponja dykrenore. Ata gjithashtu shfaqën një hartë të Kosovës me flamurin e Serbisë, teksa thërrisnin “Kosova është Serbi”.

Këto bënë që tifozët shqiptar t’u vërsuleshin atyre çekë, por siguria e stadiumit ndërhyri duke ndaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës.

Pas mbarimit të pjesës së parë, tifozët çekë u detyruan të heqin flamujt e Shqipërisë, por ata ende mbajtën hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë.

Kujtojmë se veprime të tilla, ndonëse janë të pahijshme, janë edhe të dënueshme nga UEFA. Organi qeverisës i futbollit në Evropë mund të dënojë Çekinë me gjobë, ose mbyllje të pjesshme të tribunës për ndeshjet vendase. /Albanianpost.com

Read Previous

Koret raciste dhe përdhosja e flamurit shqiptar, reagon FSHF

Read Next

Shqipëria hap negociatat me BE-në për grup kapitullin e parë: Nga drejtësia të kontrolli financiar