Prishtinë- Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka prezantuar raportin “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm- (Problemet kushtetuese të Projektligjit aktual). Nga të gjeturat e raportit, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala tha se Projektligji që synon të rregullojë të drejtën për qytetarët për një gjykim në kohë të arsyeshme ka shumë probleme.
Sipas tij, tek përgjegjësitë e gjyqtarit, Projektligjit ka përcaktuar se “Në rastet e dështimit të gjyqtarit ose kryetarit të gjykatës të veprimit në mënyrën dhe brenda afateve të parapara me këtë ligj përbën bazë për inicim të procedurës disiplinore në pajtim me legjislacionin përkatës për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve”.
Shala tha se sipas këtij neni, gjyqtari mund të mbahet përgjegjës edhe pa fajin e tij. Kjo pasi në rastin konkret, Projektligji nuk i referohet fajit të gjyqtarit, por thjesht “dështimit” për të vepruar brenda afateve të përcaktuara me këtë ligj.
Ai tha se mund të ketë situata, kur gjyqtari ka “dështuar” për të trajtuar rastet brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Por, theksoi se ka mundësi që ky “dështim” të ketë ardhur si rezultat i rrethanave objektive, për shembull mbingarkesës së tij me lëndë, kompleksitetit të çështjes, mospërgjigjes adekuate nga ana e institucioneve të tjera, e rrethana tjera.
Andaj, Shala u shpreh se IKD i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të rishqyrtojë nenin 8 të Projektligjit.
lNë anën tjetër, hulumtuesi u shpreh se edhe neni 19 i cili përcakton se “1. Për të vendosur mbi padinë për kompensim të dëmit lidhur me shkeljen për gjykim të arsyeshëm është Gjykata Supreme”, e që sipas tij trajtimi i këtyre rasteve rrezikon të shkatërrojë Gjykatën Supreme.
“Për më tepër, vendosja nga ana e Gjykatës Supreme si shkallë e parë, cenon të drejtën e qytetarëve në mjet juridik. Vendosja në shkallë të parë, nuk është në kuadër të natyrës së Gjykatës Supreme, si Gjykata më e lartë”, tha ai.
Shala u shpreh se Projektligji nuk parasheh mjet juridik pasi Supremja të vendosë si shkallë e parë, kështu duke cenuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
“Megjithatë, palët prapë do të kenë të drejtë të ankohen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo situatë rrezikon edhe vërshimin e Gjykatës Kushtetuese me ankesa të cilat derivojnë nga dispozitat e këtij Ligji. Kështu, pos Gjykatës Supreme, lënia e këtyre rasteve në kompetencë të Gjykatës Supreme rrezikon edhe administrimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi tutje Shala, duke i rekomanduar MD-së që t’i rishikojë këto dispozita.
Veç kësaj, Shala theksoi edhe një cenim tjetër në Projektligj, e që është moslejmi i ankesës ndaj vendimit të Kryetarit të Gjykatës.
Sipas Projektligjit, tha se për kërkesat e qytetarëve për përshpejtim të lëndëve në mënyrë që gjykimi të ndodhë në kohë të arsyeshme, vendos kryetari i Gjykatës brenda 15 ditësh, por ndaj vendimit të tij nuk lejohet ankesa.
“Kështu, sipas nenit 11 të Projektligjit, nëse Kryetari i Gjykatës në mënyrë arbitrare vendos ta shpallë një rast të papranueshëm, ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankesë. Kjo dispozitë është në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që përcakton se “Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”, ka shtuar Shala.
Ai tha se IKD përmes raportit edhe kësaj konference, rekomandon që të rishikohet kjo dispozitë pasi është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm”, (Problemet kushtetuese të Projektligjit aktual). /BetimipërDrejtësi