IKD letër deputetëve: Konstituoni sa më parë Legjislaturën e IX-të

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një letre zyrtare i është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që sa më parë ta konstituojnë Legjislaturën e IX-të, dhe pas konstituimit të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe urgjente për inicimin e nismës legjislative për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe të drejtat e zyrtarëve publikë.

Përmes letrës, IKD thekson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese uljen e shtesës së përvojës nga 0.5 në 0.25% e ka cilësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe kishte urdhëruar Kuvendin që deri më 1 gusht 2024 ta kthejë atë përqindje në nivelin minimal 0.5%.

Por, IKD thotë se Kuvendi nuk e zbatoi këtë aktgjykim, duke cenuar të drejtat e zyrtarëve publikë. Aty përmendet se në “Tempus”, gjykatësi Argzon Muça nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se brenda një dite janë dorëzuar rreth 2 mijë padi nga zyrtarët publikë të cilët po detyrohen të kërkojnë të drejtën e tyre përmes rrugëve gjyqësore, raporton Betimi per Drejtesi.

“Me këtë rast, ju bëjmë thirrje juve dhe të gjithë deputetëve të Legjislaturës së IX-të që të ndërmerrni veprimet e nevojshme për konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit të Kosovës. Posa të konstituohet Kuvendi, kërkojmë me urgjencë që të iniciohet nisma legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, në përputhje me kërkesat e parashtruara në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO79/23. Reagimi i shpejtë i Kuvendit në këtë drejtim nuk është vetëm përmbushje e një obligimi kushtetues, por njëkohësisht një akt i domosdoshëm për të ruajtur të drejtat sociale të punonjësve në sektorin publik”, thuhet në letër./21Media

Read Previous

Kush është Giovanni Battista Re, Dekani i Kolegjit të Kardinalëve?

Read Next

Bajrami reagon ndaj Muratit: Në kohën e UNMIK-ut Kosova s’ka pasur sanksione