IHMK propozon të shkurtohen orët mësimore, shkak temperaturat e larta

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka propozuar që të shkurtohen orët mësimore shkaku i temperaturave të larta.

Kjo është bërë e ditur përmes komunikatës së këtij instituti, ku rekomandohet që ky shkurtim i orëve të bëhet në shkollat ku nuk ka kondicionerë të ajrit dhe ujë të mjaftueshëm të pijes.

“Për shkak të temperaturave ekstreme të larta, ne si IHMK japim propozim që në shumë institucione, sidomos në shkolla ku dihet se nuk kanë kondicioner dhe ujë jo të mjaftueshëm për pije, orët e mësimit të shkurtohen nga 45 min sa janë tani në 30 min”, thuhet në njoftim.

Tutje, nga IHMK-ja, theksuan se nga e enjtja fillon stina e verës dhe temperaturat maksimale priten të arrijnë deri në 36 gradë Celsius, të cilat mund të paraqesin rrezik për fëmijët dhe të moshuarit.

Më 17 qershor, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta.

Përmes një shkrimi të postuar në rrjetin social, Facebook, nga IKSHPK-ja, kanë thënë se këto temperatura ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit.

“Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, thuhet në njoftim.

Nga ky institut kanë publikuar edhe disa këshilla se si të moshuarit të mbrohen nga i nxehti.

“Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00, sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet”.

“Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta”.

“Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”.

Ndryshe, Kosova është duke shënuar temperatura të larta gjatë ditëve të fundit./Albanianpost.com

Read Previous

Euro 2024: Shqipëria, e dyta në listën e vendeve të treta për kualifikim

Read Next

Kurti: Jemi të interesuar që të kemi tregti të sigurt