Igli Tare ka folur për herë të parë si drejtori sportiv i Milanit, duke u shprehur me emocion dhe vendosmëri në një intervistë për kanalet zyrtare të klubit.
Ish-drejtuesi i Lazios ka theksuar lidhjen e thellë emocionale që ka pasur gjithmonë me fanellën kuqezi dhe ka shpalosur vizionin e tij për të ardhmen e klubit.
“Kam realizuar një ëndërr të kahershme. Milanin e kam ndjekur që kur isha fëmijë, më kujtohen kohët e Wilkins dhe Hateley. E gjithë familja ime ishte me Milanin, gjithë axhallarët e mi ishin tifozë kuqezi. Ka qenë gjithmonë një lidhje shumë e fortë, që nuk e kam fshehur as kur u bëra lojtar apo drejtues”, ka thënë fillimisht Tare në prezantimin e tij.
“Debutimi im në Serie A ishte në një ndeshje Brescia-Milan, ndërsa djali im i parë ka lindur më 13 shtator 2003 gjatë një ndeshjeje Milan-Bologna. Këto janë kujtime që tregojnë se lidhja ime me këtë klub është e thellë dhe personale”.
Objektivat dhe bashkëpunimi me drejtuesit
Tutje, drejtuesi shqiptar ka folur edhe për objektivat e tij me klubin nga San Siro.
“Do të jap maksimumin tim për të siguruar që kjo histori e madhe të vazhdojë edhe në të ardhmen. Milani ka një të kaluar të lavdishme dhe duhet të jemi të zot që këtë projekt ta përcjellim menjëherë te tifozët dhe të gjithë ata që janë pjesë e këtij ambienti”.
“Kam pasur mundësinë të flas gjatë me Giorgio Furlanin dhe me Zlatan Ibrahimovic. Kemi shkëmbyer mendime për gjithçka që lidhet me klubin dhe ndjej se kam ide të qarta. Tani duhet t’i vëmë në zbatim”, nënvizoi shqiptari.
Sfida dhe filozofia si drejtues
I vetëdijshëm për pritshmëritë që vijnë me postin e tij, Tare theksoi rëndësinë e fillimit të ri.
“Duhet të nisemi në mënyrën e duhur. Sezoni i kaluar ka qenë i gjatë dhe me shumë zhgënjime, e kam ndjekur edhe nga jashtë. Tani kam ardhur me shumë entuziazëm dhe dua t’ia transmetoj këtë energji të gjithëve. Është thelbësore të mësojmë nga gabimet dhe të ecim përpara”.
Sipas Tares, Milani është një klub që kërkon menjëherë rezultate.
“Kam kuptuar që këtu duhet të fitosh menjëherë. Kjo është përgjegjësi e madhe dhe jam gati ta përballoj. Roli im do të jetë të sjell strategjitë e duhura për ekipin, veçanërisht për të rinjtë, dhe t’u krijoj atyre hapësirë në këtë klub”.
🗣 Igli Tare: “Belonging. Responsibility. Victory.”
Our Sporting Director shares what it means to wear the AC Milan shirt #SempreMilan pic.twitter.com/7ZI9I8bEXX— AC Milan (@acmilan) May 28, 2025
Mbi rëndësinë e identitetit të klubit
“Për mua, përkatësia ka shumë rëndësi. Kush vjen të luajë për Milanin duhet të kuptojë menjëherë se kjo fanellë ka peshë, se ky stadium ka peshë. Nëse ne arrijmë t’ua transmetojmë këtë ndjenjë lojtarëve tanë, kemi bërë një hap të madh drejt suksesit”.
“Kam një shprehje që e përdor gjithmonë: rëndësi ka ajo që ke shkruar përpara (në fanellë), jo ajo që ke shkruar mbrapa. Kështu duhet të jetë edhe në Milan”.
Bashkëpunimi dhe futbolli modern
Tare theksoi qasjen e tij bashkëpunuese.
“Dua të hyj në këtë klub me përulësi, por edhe me gatishmërinë për të dhënë kontributin tim që kjo shoqëri të rikthehet në majat e futbollit italian dhe botëror. Roli im do të jetë mbështetës, jo vetëm për stafin teknik, por edhe për Furlanin, Ibrahimovicin dhe Moncadan. Mendoj se puna në ekip është thelbësore”.
Për evoluimin e futbollit modern, Tare shtoi se rëndësi kanë rezultatet.
“Futbolli ka ndryshuar shumë në pesëvjeçarët e fundit. Duhet të jesh i përgatitur për të ndjekur këtë evolucion. Rëndësi ka që gjithçka është e lidhur me rezultatin final në fushë: fitorja. Nëse e kemi të qartë këtë gjë, atëherë puna bëhet më e lehtë”.
Për Milanin që dëshiron të ndërtojë
Tare, tutje tregoi si e sheh ‘Milanin e tij’.
“Dua një skuadër që djersit fanellën, që ka uri dhe dëshirë për të fituar. Dua të shoh San Siron që shpërthen nga gëzimi i tifozëve. Do të bëj gjithçka dhe do të jap gjithçka nga vetja që kjo të bëhet realitet, sepse është e mrekullueshme të shohësh tifozët e Milanit duke festuar”.
I emocionuar me realizimin e ëndrrës
Në fund, legjenda shqiptare nga Vlora tregoi se ndihet i plotësuar që ka realizuar tashmë ëndrrën e tij me marrjen e pozitës te klubi kuqezi.
“Jam shumë i emocionuar dhe i plotësuar. Kam realizuar një ëndërr që e kam pasur prej vitesh. Të jem këtu, në klubin që kam dashur si fëmijë, ka një domethënie të madhe për mua”, përfundoi Tare. /Telegrafi/