Igli Hasani: Shqipëria nuk blen armë për t’i përdorur kundër fqinjëve

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se Shqipëria nuk rrit kapacitetet ushtarake për t’i përdorur ato kundër fqinjëve.

Lajmi u bë i ditur gjatë intervistës për transmetuesin turk “TRT World”.

“Unë nuk mendoj se askush në rajon dhe mund të them për Shqipërinë se ne nuk blejmë dhe nuk rrisim kapacitetet ushtarake për t’i përdorur ato kundër fqinjëve tanë. Rajoni është i qëndrueshëm dhe ne kemi vazhduar ta ruajmë atë si një rajon stabil, nuk mund të harrojmë se çfarë ndodhi në vitet ’90 të shekullit të kaluar në këtë rajon të veçantë, por mendoj se jemi shumë larg saj”, shtoi kryediplomati.

Sipas tij, mbetet e rëndësishme është që “ne duhet të jemi të përgatitur për sfida të reja, duhet të përgatitemi për realitete të reja”.

“Në rastin e Shqipërisë kemi pasur një industri ushtarake mjaft masive në kohën tonë komuniste që në 30 vitet e fundit ka mbetur mbrapa, nuk është përdorur, nuk ka prodhuar asgjë përveç realiteteve që po përballemi me nevojën për të zhvilluar një Forcë të Armatosur më moderne shqiptare”, kujtoi Hasani.

Ai theksoi gjithashtu se është krijuar një realitet që “ne duhet të zgjerojmë prodhimet tona dhe këto mundësi duhet të jenë gjithashtu mundësi të mira bashkëpunimi me partnerët në rajon”.

Igli Hasani u takua me homologun e tij turk Hakan Fidan të enjten e 26 shtatorit, në kuadër të vizitës së tij në New York, transmeton Anadolu.

Ministria turke në një postim në rrjetin social X njoftoi se Fidan është takuar me Hasanin në Shtëpinë Turke në New York.

Fidan gjithashtu u takua edhe me kryediplomatin hungarez, Peter Szijjarto, dhe kryediplomaten gjermane Annalena Baerbock. /Albanianpost.com

Read Previous

Norvegjia ndalon dhënien e azilit për refugjatët ukrainas

Read Next

Njoftim nga Ministria e Ekonomisë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje