Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani bëri të ditur sot se katër qytetarë të tjerë shqiptarë që ndodheshin në Izrael për arsye profesionale dhe familjare janë evakuar me sukses nga Izraeli.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hasani informoi se dy prej tyre janë larguar përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit.
Hasani falënderoi autoritetet izraelite, jordaneze, egjiptiane dhe ambasadën austriake në Tel Aviv për koordinimin e ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel-Aviv dhe Kajro.
Ai siguroi se MEPJ vijon të ndjekë me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet tona.
Pesë shqiptarët e parë u evakuan nga Izraeli në 18 qershor, mes konfliktit në rritje midis Izraelit dhe Iranit me sulme të ndërsjella me raketa. /ATSH/