Hykmete Bajrami: Ta shënojmë 1 qershorin si ditë të mafisë energjetike në Kosovë

Ish-ministrja e Financave dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e quajtur “mafi energjetike”.

Në një postim në Facebook, Bajrami thotë se gjatë katër viteve të fundit është ndërtuar një sistem i organizuar i përfitimeve përmes vendosjes së njerëzve partiakë në pozita kyçe në ndërmarrje publike dhe institucione që menaxhojnë energjinë në vend.

“Përgjatë katër viteve të shkuara, mafia energjetike për të cilën Albin Kurti fliste sa ishte në opozitë ka marrë formë. Ka emra dhe mbiemra, është Lëvizja Vetëvendosje në pushtet”, shkroi Bajrami.

Ajo përmendi rastin e Nagip Krasniqit, të cilin e cilëson si njeriun e parë që Kurti dërgoi në KEK, ndërkohë që ai tani po përballet me aktakuza për korrupsion.

Në të njëjtën frymë, ajo përmendi edhe emërimin e Martin Berishajt si ambasador brenda 24 orëve, i cili sipas saj paguhej nga kompani energjetike përfshirë GEN-in.

“Kjo nuk është rastësi… tashmë po e shohim të gjithë skemën e ndërtuar me qëllime të qarta, atë të pasurimit të disa individëve në kurriz të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit”, theksoi ajo.

Bajrami po ashtu aludoi për përfshirje të afërmve të zyrtarëve të lartë të qeverisë në sektorin e energjisë, duke përmendur raportimet për vëllain e shefit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi.

Një tjetër element që Bajrami e paraqet si skandaloz është funksionimi i kompanive fantome me përfitime të mëdha. Ajo përmendi kompaninë NOA, e cila sipas saj, ka vetëm dy punëtorë por ka realizuar 160 milionë euro qarkullim vetëm në vitin 2024.

“Çmimi i energjisë në qeverisjen e Kurtit ka shënuar rritje rekorde. Dhe, mbrëmë sërish u paralajmërua shtrenjtim i rrymës. Shiheni faturën e muajit maj dhe krahasone me majin e vitit 2024, 2023, 2022 dhe 2021. Kosova kurrë nuk ka importuar më shumë energji sesa në këto katër vitet e fundit”, deklaroi Bajrami, duke kritikuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe mungesën e tregut real të energjisë për rreth 1,300 ndërmarrje.

Në fund të reagimit të saj, ajo kërkoi hetim dhe auditim të plotë për sektorin energjetik:

“Hetim dhe auditim për të gjithë. Prokuroria të merret me mafien energjetike para se kjo të shkatërrojë çdo gjë që është ndërtuar për 25 vite.”, tha Bajrami. /Telegrafi/

Read Previous

Video virale e fluturimit në mbi 8000 metra lartësi e krijuar me AI?

Read Next

​Kush befasoi e kush dështoi sivjet në Superligë, flasin analistët e futbollit