Hoti: Për targat nuk ka çka të dialogohet, po kthehemi prapa në dialog teknik

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se fokusi duhet të mbahet te marrëveshja finale për njohje reciproke e jo “të rrëshqitet në dialog teknik”.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se në qeverinë e kaluar ka nisur dialogu për marrëveshje finale për njohje reciproke, i bazuar në platformë të parimeve, objektivave dhe vijave të kuqe në dialog.

“Si e tillë, kjo platformë ka qenë kornizë veprimi brenda të cilës është dialoguar. Platforma është dorëzuar tek partnerët tanë ndërkombëtarë para se nisjes së dialogut. Vetëm pas dakordimit me partnerët për pozicionin dhe pritjet e Kosovës nga dialogu, e kemi nisur dialogu me objektiv të vetëm “arritje e marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”. Dhe është bërë progres edhe sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes finale, e edhe në kuptim të krijimit të kontekstit përkrahës për marrëveshjen finale tek vendet mos njohëse të Bashkimit Evropian dhe përtej”, ka thënë ai.

Tutje Hoti ka thënë që me veprimet e qeverisë aktuale, siç është takimi i sotëm në Bruksel, po kthehemi prapa në dialog teknik.

“Për targat nuk ka asgjë çfarë të dialogohet. Marrëveshja për targat ka skaduar më 15 shtator 2021. Një vit më parë, në shtator 2020, në zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ish Ministri i Brendshëm Veliu e ka anuluar udhëzimin administrativ për të pamundësuar regjistrimin e automjeteve më tutje bazuar në marrëveshjen e vitit 2016, në mënyrë që përtej datës 15 shtator 2021 të mos ketë në qarkullim automjete të regjistruara sipas marrëveshjes së Brukselit. Pra, vendimi i qeverisë aktuale për targat ka qenë rrjedhojë e vendimit të qeverisë paraprake dhe i bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes të datës 14 shtator 2016. Në shtator 2020, kur e kemi anuluar udhëzimin administrativ të cituar më lartë, ka pasur reagime nga Brukseli ku kërkohej të ri-negociojmë marrëveshjen për targat”.

“Ne kemi refuzuar me arsyetimin se duhet arritur marrëveshja për njohje reciproke, e cila natyrshëm i zgjidh të gjitha problemet teknike në relacion me Serbinë. Refuzimi ynë bazohej në dakordimin e arritur paraprakisht me partnerët se po nisnim dialogun vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, dhe se nuk ka dakordim për asgjë derisa të arrihet marrëveshja finale me njohjen reciproke në qendër të saj. Për këtë qëndrim tonin, e kishim në veçanti mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë të dhënë përmes disa deklarimeve dhe letrave zyrtare drejtuar Serbisë dhe Kosovës”, tha Hoti. /klankosova.tv/

Read Previous

​Koalicionet për balotazh, LDK mbledh sot kryesinë e partisë

Read Next

Haradinaj: Reforma në drejtësi duhet të jetë në partneritet me SHBA dhe BE