Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka thënë se më 31 janar do të takohen me një delegacion serb, ku presin të marrin informacione për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Hoti tha se në atë takim, shpresojnë të marrin informata për arkivat që Kosova i ka kërkuar nga Serbia dhe në rast se një gjë e tillë bëhet, ai tha se do të vazhdojnë me gërmime të reja.
“Më 31 Janar të këtij viti, ne kemi një takim të jashtëzakonshëm të grupit punues, delegacion i Kosovës me të Serbisë, dhe BE-ja besojmë se do të jetë në këtë takim, dhe shumë po shpresojmë që do të marrim informacion ose arkivat që i kemi kërkuar nga Serbia”.
“Dhe nëse i marrim këto atëherë natyrisht që do të vazhdojmë me gërmime të tjera, por megjithatë vitin 2023 kryesisht i kemi pas gërmimet prej raporteve analitike që i kemi marr prej akterëve të ndryshëm, por kryesisht prej Komitetit Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq”, ka thënë ai për Front Online.
Tutje, ai tha se gjatë këtij viti do të gërmojnë për mbetje mortore në disa lokacione në Kosovë.
“Në Skenderaj e kemi edhe një lokacion, kemi qenë në Prekaz, por tani është një lokacion tjetër prapë në Prekaz, në Podujevë kemi me u kthy, në Prizren kemi me u kthy, edhe në Kamenicë kemi me u kthy”, ka thënë ai. /FrontOnline/Klankosova.tv/