Homazhe në Tiranë në nderim të Kadaresë

Në Tiranë po bëhen homazhe në nderim të jetës së shkrimitarit shqiptar, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta më 1 korrik.

Arkivoli me trupin e pajetë të Kadaresë u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në kryeqytetin shqiptar.

Qytetarë të shumtë, në mesin e tyre bashkëpunëtorë të tij dhe personalitete të fushave të ndryshme, po marrin pjesë në homazhe.

Të pranishëm janë edhe personalitete nga Kosova – si presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – si dhe vende të tjera.

Shkrimtari i ndjerë varroset sot në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Shqipëria ishte në zi kombëtare dje dhe sot, ndërsa Kosova sot.

Arkivoli me trupin e Kadaresë
Arkivoli me trupin e Kadaresë

Kadare vdiq në moshën 88-vjeçare si pasojë e një arresti kardio-respirator.

Veprat e tij u përkthyen në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, ai i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

Në vitin 1990 emigroi në Francë, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Kadare ishte fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ndërsa vitin e kaluar Franca i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.

Udhëheqës në Shqipëri dhe në Kosovë thanë se me vdekjen e Kadaresë, “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave”, ndërsa “bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

Mediumi anglez: Muric kërkon të largohet nga Burnley

Read Next

Pamjet satelitore tregojnë se si Kina po zgjeron bazat e përgjimit në Kubë