“Hetimi për Banjskën i një rëndësie vendimtare”, ministri gjerman: Gjermania nuk po e armatos vetëm Kosovën

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i ka thënë sot presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ,në Beograd, se hetimi i sulmit të armatosur mbi Policinë e Kosovës në Banjskë është i një rëndësie vendimtare. Ai tha se Gjermania e ka njohur Kosovën shtet dhe se ajo nuk po e armatos vetëm këtë të fundit, por edhe vende të tjera.

Në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.

“Është e rëndësishme dhe është e nevojshme për Serbinë që të vazhdojë të hetojë ngjarjet e 24 shtatorit, dhe kjo është e një rëndësie vendimtare”, tha Pistorius gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kosova po e akuzon Serbinë se qëndron prapa kësaj ngjarjeje, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Siç raportojnë mediat, ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë tha po ashtu se është e rëndësishme që Serbia të reduktojë praninë ushtarake në kufi me Kosovën.

Po ashtu, ai bëri thirrje për uljen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe për rikthimin e palëve në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai megjithatë e pranoi se Beogradi dhe Berlini zyrtar ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket Kosovës.

“Në lidhje me Kosovën, natyrisht, qëndrimet tona janë krejtësisht të ndryshme, duke pasur parasysh se Gjermania është një nga protagonistët kryesorë të njohjes së Kosovës së pavarur dhe të asaj politike. Siç e dini, ne ndryshojmë sa i përket kësaj çështjeje, por e kuptojmë shumë mirë se dialogu është zgjidhja e vetme për daljen nga kriza”, ka thënë Vuçiq.

Ministri gjerman tha se Gjermania e ka njohur tashmë Kosovën shtet dhe se ajo nuk po e armatos vetëm këtë të fundit, por edhe vende të tjera e të cilat kanë të bëjnë kryesisht me armatim mbrojtës.

“Gjermania po armatos jo vetëm Kosovën, por ajo dërgon material ushtarak në Serbi dhe në vende tjera në kuadër të nismës sonë për pajisjen e ushtrisë si kontribut i stabilizimit të rajonit dhe për të forcuar kapacitetet e çdo shteti. Pra, ne nuk ofrojmë armë ofensive, bëhet fjalë për mbrojtje. Ne e kemi pranuar Kosovën, vende e tjera nuk e kanë bërë këtë. Bëhet fjalë për një numër më të vogël të vendeve në botë dhe ky vendim i takon çdo shteti, por pavarësisht kësaj çështjeje, kërkesa për rajonin mund të jetë kur kemi parasysh synimin tonë për stabilitetin e rajonit si parakusht për përfarim me BE-në”, tha Pistorius.

Ai ka theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është esencial në përafrimin me Bashkimin Evropian dhe se Gjermania është e hapur në diskutime me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë.

Ai ka përmendur edhe çështjen e ndalimit të vendosjes së euros si valutë e vetme pagese nga data 1 shkurt në Kosovë, të cilën e ka quajtur “provokim” dhe tentim për “spastrimin etnik të serbëve”.

“Besoj se ndalen provokimet dhe nuk jemi plotësisht dakord për çështjen e dinarit, sepse Republika e Serbisë konsideron se heqja e dinarit nga Kosova është krejtësisht e paligjshme. Unë vetëm dua që ju ta dini këtë, nuk ka asnjë letër tjetër që tregon diçka ndryshe. Prandaj, është një provokim i drejtpërdrejtë që askush nuk e kupton pse po e bën dikush, përveç qëllimit të spastrimit të plotë etnik të serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq.

Duke komentuar vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë, Pistorius tha se zbatimi i vendit “duhet të jetë i organizuar dhe nuk duhet që askush të lëndohet”, duke kërkuar një “periudhë tranzicioni” për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“Nuk është në interesin e askujt që raportet të tensionohen edhe më tej”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Zyrtari i lartë gjerman sërish i bëri thirrje Serbisë që të miratojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

I pyetur për ndikimin rus, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ndikimi ekonomik i Rusisë në Serbi është pakrahasueshëm më i vogël sesa i Gjermanisë.

Ndërkaq, sa i përket ndikimit politik, Vuçiq tha se nuk mund të flasë për të gjithë aktorët, por theksoi se ndoshta Rusia mund të ketë ndikim te disa, e te disa të tjerë jo. Lideri serb tha se vetëm populli i Serbisë ka ndikim në kryeministren, presidentin, Parlamentin e shtetit.

“Askush nuk mund të më jap urdhra nga Uashingtoni apo nga Moska, nga Berlini, apo askund tjetër. Serbia i merr vetë vendimet pa ndikimin e askujt”, tha ai.

/Telegrafi/

Read Previous

Gërvalla takon delegacionin italian në KiE: Kosova e gatshme për t’u anëtarësuar këtë vit

Read Next

Gjakovë/ Arrestohet personi që dyshohet që rrahu dy motrat e tij