GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Prishtinë- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se në një hetim të koordinuar nga EUROPOL-i, në operacionin ndërkombëtwr “Switch off” kundër krimit financiar, është arrestuar edhe një shtetas i Kosovës
Në njoftim thuhet se nën udhëheqjen e PSRK-së, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor më 22 janar të këtij viti, me qëllim të verifikimit, identifikimit, dhe sekuestrimit të provave relevante, në kuadër të një hetimi të përbashkët dhe të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që ka çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë hetimeve të zhvilluara, PSRK thotë se ka rezultuar se në mesin e të dyshuarëve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicalet P.B.
“Me urdhër të PSRK-së, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: “Cenim i të drejtave të autorit”, nga neni 290 i KPRK-së; “Shpëlarja e parave”, nga neni 302 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, operacioni i zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali, dhe Rumani, ka mundësuar eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes një sistemi të sofistikuar informatik – IPTV.
Ndërsa, thuhet se në hetim kanë bashkëpunuar edhe Kandaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.
“Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit financiar”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi