Haxhiu takohet me zyrtaren e lartë letoneze, flasin për anëtarësimin e Kosovës në EUROJUST

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së dytë të vizitës në Letoni është takuar me Sekretaren për Bashkëpunim të Jashtëm dhe Strategji të Ministrisë së Drejtësisë, Kristine Pommere, me të cilën ndër të tjera ka diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, EUROJUST.

“Anëtarësimi në EUROJUST, mbështetja në rrugëtimin tonë për integrim evropian si dhe ekspertiza në zhvillim të politikave, janë çështjet kryesore në të cilat u zhvillua diskutimi i përbashkët”, thuhet në komunikatën për media.

Ministrja Haxhiu, siç citohet në njoftim, e falënderoi sekretaren Pommere për mbështetjen e vazhdueshme “veçanërisht për ekspertizën që Ministria e Drejtësisë ka marrë nga dy ekspertë letonez gjatë dy viteve të fundit”.

Aty theksohet edhe që Pommere tha se Kosova është partner i nevojshëm dhe i respektuar për Letoninë andaj edhe përkushtimi për forcim të raporteve, bashkëpunim dhe mbështetje strategjike do të avancohet.

“Letonia është shembull i jashtëzakonshëm për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë andaj edhe ekspertiza e tyre është më se e nevojshme për hapat tutje të vendit tonë drejt këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Bashkëpunimi, siç thuhet nga MD-ja, në fushën e drejtësisë mes këtyre dy vendeve do të avancohet.

Përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Kosovës, patën kërkuar që Kosova të jetë vëzhguese e përhershme në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, EUROJUST.

Kërkesa është paraqitur gjatë një takimi mes presidentit të EUROJUST-it, Ladislav Hamran me u.d. kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe prokuroren e PSRK-së, Ilirjana Çollaku – Tafa.

EUROJUST është Agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunim në drejtësi penale.

Ajo është krijuar për të ndihmuar koordinimin dhe bashkëpunimin midis autoriteteve kombëtare që hetojnë dhe ndjekin penalisht krimet e rënda që prekin dy ose më shumë shtete anëtare të BE-së.

Teksa, misioni i saj është të përmirësojë efektivitetin e hetimeve dhe ndjekjeve penale në nivel ndërkombëtar. /Albanianpost.com

Read Previous

Përurohet Klinika e Ortopedisë

Read Next

Kriza e Lindjes së Mesme mund të ndezë një valë të re refugjatësh në Evropë