Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e mirëpret angazhimin institucional të policisë dhe prokurorisë në mbylljen dhe arrestimin e shtatë prej administratorëve të grupit famëkeq “Albkings”.
Përmes një postimi në llogarinë e saj të Facebook, Haxhiu tha se “Albkings” mund të jetë veç një lajm i radhës, por për shumë vajza dhe gra, veprimtaria e këtij grupi do të mbetët plagë e traumë e jetës së tyre.
“Mirëpres angazhimin institucional të policisë dhe prokurorisë në mbylljen dhe arrestimin e personave që administronin grupin famëkeq të telegramit ‘Albkings’”, shkroi Haxhiu.
“Albkings mund të jetë një lajm i pasdites apo mbrëmjeve por për shumë vajza dhe gra, viktima të këtij grupi do të mbetet plagë dhe traumë jetësore. Si institucione e kemi për obligim që të mos lejojmë individë apo grupe njerëzish me mendësi kriminale që përmes rrjeteve sociale apo formave të tjera të shkatërrojnë jetët e vajzave dhe grave”, shtoi ajo pos tjerash.
Më herët gjatë ditës, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore e Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka njoftuar se janë arrestuar shtatë nga kryesit e veprave penale të vjedhjes së indentitetit dhe kredencialeve që publikoheshin në grupin famëkeq me emrin “Albkings” – grupi është mbyllur përfundimisht.
Në një konferencë për media, Gashi tha se ka gjasa që të zgjerohen hetimet mbi personat dhe veprat penale që do ndiqen, pas veprimtarisë ilegale që gjeti zhvillim në aplikacionin Telegram.
“Lidhur me rastin ‘Albkings’, ju njoftoj se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve”, ka deklaruar Gashi.
“Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 persona që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë”, ka deklaruar Gashi.
Lajmin për mbylljen përfundimtare të grupit e njoftoi prokurorja e rastit, Elza Bajrami-Kastrati.
“Kemi arritur që këtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se më 18 prill Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj E.N, njërit prej administratorëve kryesor të grupit “Albkings”.
I njëjti dyshohet për kryerjen e veprës penale “vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.
Më pas me 16 maj, Gjykata Themelore e Prishtinës e k ishte miratuar kërkesën e Prokurorisë për t’ia vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë E.N, i cili dyshohet se ka qenë njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigrohen gratë dhe vajzat./Albanianpost.com