Haxhiu: Çelësi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit është bashkëpunimi institucional

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me ftesë të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë, ka marrë pjesë në lansimin e Udhëzuesit të Veçantë kundër Korrupsionit.

Ministrja Haxhiu e ka vlerësuar tejet të rëndësishëm këtë udhëzues të veçantë për politikat ndëshkimore i cili sipas saj, do të jetë shumë i vlefshëm për secilin person që është pjesë e sistemit të drejtësisë e që merret me  luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për ministren Haxhiu, çelësi i luftës kundër krimit të organizuar  dhe korrupsionit është padyshim bashkëpunimi institucional.

“Si Ministri e Drejtësisë, zotohem që nuk do të mungojë në asnjë moment bashkëpunimi i Ministrisë me institucionet e drejtësisë me qëllimin  kryesor që t’i fuqizojmë këto institucione. Si ministre e Drejtësisë, do të angazhohem fuqishëm, që brenda kompetencave tona, t’i fuqizojmë institucionet e drejtësisë në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, qoftë përmes projektligjeve, udhëzimeve të ndryshme, akteve nënligjore por po ashtu edhe përmes buxhetit”, tha ministrja Haxhiu.

Ajo theksoi se mbetet e angazhuar në çështjen e buxhetit për sistemin e drejtësisë meqenëse deri më tani shuma e ndarë ka qenë jo më shumë se 2% e totalit buxhetor.

Në fund të fjalës së saj, Haxhiu falënderoi të gjithë akterët relevant të cilët janë angazhuar në hartimin e këtij udhëzuesi dhe njëherit ka bërë thirrje që të gjithë ata të cilët merren direkt me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, t’i ndihmojnë vendit duke luftuar krimin e organizuar e korrupsionin si dhe duke nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.

/KlanKosova/

Read Previous

Ushtria serbe në gjendje gatishmërie në kufi me Kosovën, pret urdhrin e Vuçiq (VIDEO)

Read Next

Osmani: Kosova është për vazhdimin e dialogut më Serbinë