Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka takuar homologun ukrainas Dmytro Kuleba. Në një konferencë të përbashkët, Hasani ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, duke dënuar agresionin rus.
Ministri Hasani bëri me dije se muajt në vijim pritet që të inaugurohet ambasada shqiptare në Kiev, pasi kanë mbetur ende përgatitjet teknike.
Po ashtu, intensifikimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, rritja e bashkëpunimit në fushën ekonomike, kanë qenë disa nga temat e diskutuara në takimit e mbajtur mes dy ministrave.
“Jemi në fazë përgatitjesh teknike për hapjen e ambasadës shqiptare në Kiev. Shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në pak muaj të ardhshëm. Kemi folur për rrugët dhe çuarjes së tyre përpara me qëllim forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. Kemi folur për ndihmën që Shqipëria mund të ofrojë për rindërtimin e Ukrainës. Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Jemi të lumtur për avancimin e Ukrainës në rrugën pro-evropiane. Jemi të gatshëm të ofrojmë përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Uroj që samiti i përbashkët që fillon pas pak të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për Ukrainën”, ka deklaruar Hasani.
Sipas, Hasanit, plani me 10 pika i presidentit Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes në konfliktin me Rusinë.
“Plani me 10 pika i presidentit Zelenskyy, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5 për “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës. Ukraina, përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare. Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti”, ka theksuar Hasani.
Ministri jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba, e ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e dhënë për vendin e tij, që prej dy vitesh përballet me agresionin dhe sulmet ruse, dhe kërkoi intensifikim të përpjekjeve për dënimin e Rusisë si përgjegjëse e krimeve të luftës.
“Çdo mbështetje e Shqipërisë është e vlerësuar. Më kujtohet me mirënjohje të posaçme mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në këto 2 vite thelbësore, takimi në Këshillin e Sigurimit ku kryeministri Rama kryesoi mbledhjen më mënyrë efikase në 2023. Informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dron e raketa të Rusisë çdo ditë. Rusia të mbahet përgjegjëse për agresionin dhe krimet e luftës. Do donim të intensifikonim përpjekjet tona në këtë drejtim. Shqipëria është bashkuar me regjistrin e të dhënave të dëmeve të Rusisë në Ukrainë”, është shpreh Kuleba ndërsa mbështeti gjithashtu integrimin evropian të Shqipërisë. /RTK/