Harris mban fjalimin e parë të madh që nga humbja

Ish-zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, përdori fjalimin e saj të parë të madh që nga largimi i detyrës për të kritikuar ashpër presidentin Donald Trump, mes spekulimeve nëse ajo do të kandidojë sërish për presidente apo për guvernatore të Kalifornisë.

Në deklaratën e saj më të madhe publike që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë në janar, pas humbjes së saj nga Trump, Harris tha se ishte frymëzuar nga amerikanët që po kundërshtojnë agjendën e Trumpit, pavarësisht kërcënimeve për lirinë ose ekzistencën e tyre.

“Në vend që një administratë të punojë për të avancuar idealet më të larta të Amerikës, ne jemi dëshmitarë të një braktisjeje dhe tradhtie të plotë të tyre”, tha Harris një ditë pasi Trump shënoi 100 ditë në mandatin e tij të dytë.

Bëhet e ditur se me këtë fjalim, ajo bëri thirrje për rezistencë në vend të dëshpërimit.

“Ata po mbështeten në faktin se nëse mund të trembin disa njerëz, kjo do të ketë një efekt dekurajues tek të tjerët. Por ajo që ata kanë anashkaluar është se nuk është vetëm frika ajo që është ngjitëse”, tha Harris.

“Guximi është gjithashtu ngjitës.”

Trump e kishte sulmuar Harrisin një ditë më parë në një tubim të stilit të fushatës që shënonte 100 ditët e tij të para në detyrë, përcjell Telegrafi.

Ai me sarkazëm e quajti atë një “roje kufitare” dhe një “kandidate të shkëlqyer” dhe përsëriti disa nga sloganet e tij më të zakonshme të fushatës.

Trump deklaroi gjithashtu se ai “nuk dinte asgjë për të” derisa ajo zëvendësoi Joe Biden si kandidate presidenciale.

Ndërkohë, Harris paralajmëroi amerikanët që të mos e shohin administratën Trump si kaos dhe çrregullim, por si një “proces të planifikuar”, kulmi i përpjekjeve prej vitesh nga e djathta amerikane për të riformuar qeverinë.

“Ata aktualisht po zbatojnë me shpejtësi një agjendë që ka dekada në përgatitje”, tha Harris.

“Një agjendë që përfshin zvogëlimin e financimit të arsimit publik. Një agjendë që synon të zvogëlojë rolin e qeverisë dhe të privatizojë shërbimet e saj. Të gjitha duke u dhënë lehtësim taksash më të pasurve.”

Ndryshe, për rikthimin e saj në skenën politike, Harris zgjodhi një mjedis miqësor – ajo mbajti një fjalim në një darkë gala që festonte 20-vjetorin e organizatës Emerge America, e cila rekruton dhe trajnon gratë për kandidatura.

Kjo organizatë lindi pjesërisht nga kandidatura e saj për Prokuroren e Qarkut të San Franciskos në fillim të viteve 2000. /Telegrafi/

Read Previous

Dita e ndeshjeve: Luhen gjysmëfinalet e para në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës

Read Next

Përfundon takimi Kurti- Krasniqi