Haradinaj përkujton të rënët në Mejë: Të gjithë u vranë pa arsyeje dhe pa asnjë të drejtë

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Meje duke u shprehur se “këtu po shohim trupa dhe shpirtra të pafajshëm”.

Ai në një deklaratë për media ka thënë se të gjitha vrasjet që kanë ndodhur gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë qenë të paarsyeshme.

“Të gjithë këta janë vrarë pa arsyeje, pa asnjë të drejtë. Një pjesë e trupave të tyre vazhdojnë të jenë në Serbi edhe sot ka të pagjetur, kjo është tragjedia më e madhe, masakra më e madhe në Kosovë. Janë 377 të vrarë, të gjitha të moshave”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve.

Ai tutje ka theksuar se njerëzit të cilët kanë sakrifikuar për Kosovën kanë pasur vetëm një faj.

“Faji i tyre ka qenë që kanë dashur të jenë të lirë, përfat sakrifica e tyre këto flijime u bashkuan edhe me ndihmën e NATO-së edhe nga Amerika dhe kështu erdhi liria. Edhe pse kemi dhimbje, emocione kur jemi me familje po ashtu ndjehemi të lehtësuar që Kosova është e lirë edhe besojmë edhe në NATO”.

“I përjetëshëm kujtimi këtu për të rënët në Meje”.

Përveç masakrës së Mejës në Kosovë gjithashtu të enjten e 27 prillit është shënuar Dita e të Zhdukurve.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. /Albanianpost.com

Read Previous

Presidentja Osmani: Meja është plaga jonë e përhershme

Read Next

OpenAI ofron opsione të reja të privatësisë për ChatGPT