Hamasi nis sulm raketor drejt Tel Avivit

Hamasi ka nisur një sulm me raketa drejt Tel Avivit në Izrael, në atë që po shihet si sulmi i parë i tillë brenda territorit izraelit prej muajsh.

Mediat izraelite thonë se raketat u hodhën nga Rafahu në jug të Gazës, ku Ushtria izraelite po kryen një operacion intensiv ushtarak.

Raportet e mediave thonë gjithashtu se sirenat e raketave u dëgjuan në shumë qytete dhe qyteza, duke përfshirë Herzliya dhe Petah Tikva, përveç Tel Avivit.

Rreth 10 raketa u lëshuan në breshëri, sipas Times of Israel, duke cituar Ushtrinë.

Shumë raketa janë kapur nga sistemet e mbrojtjes izraelite, thonë raportet, duke shtuar se disa të tjera kanë rënë në zona të ndryshme.

Krahu i armatosur i Hamasit mori përsipër sulmin në Telegram më herët.

Më herët Hamasi ka thënë përmes një komunikate për shtyp se ka arritur të marrë peng disa ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.

Izraeli gjithsesi ka qenë i menjëhershëm në mohimin e këtyre pretendimeve. Por, grupimi militant nuk ka ngurruar edhe të publikojë një video, ku tregohet një ushtar izraelit, i cili po tërhiqet zvarrë nga militantët e Hamasit në një tunel dhe gjithashtu ka publikuar disa fotografi të veshjeve ushtarake dhe armëve izraelite.

Në një deklaratë të rrallë të regjistruar vonë natën e publikuar në kanalin Telegram të grupit, Abu Ubaida, zëdhënës i Brigadave Qassam, tha se luftëtarët e Hamasit ishin përleshur me një forcë izraelite në Rripin verior të Gazës pranë një hyrje tuneli në kampin e refugjatëve Jabalia.

Ai tha se të gjithë anëtarët e forcës izraelite mbetën ose “të vdekur, të plagosur ose të kapur”.

Ai nuk tha se sa u kapën dhe nëse ishin të vdekur apo të gjallë.

Al Jazeera Arabic më pas publikoi edhe videon, e cila dyshohet se konfirmon incidentin.

Në një deklaratë paralele, Ushtria izraelite mohoi pretendimet e Qassam, duke thënë: “Nuk ka asnjë incident në të cilin një ushtar është rrëmbyer”./Albanianpost.com

Read Previous

Zelensky me thirrje për Bidenin e Xi-n

Read Next

5 mbrojtësit e majtë më të mirë të Euro 2024