Një rrjet i sofistikuar spiunazhi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka çuar sekrete në Rusi për gati tre vjet dhe ka mbledhur informacione për targete në të gjithë Europën.
Tre shtetas bullgarë – Katrin Ivanova, 33 vjeçe, Vanya Gaberova, 30 vjeçe, dhe Tihomir Ivanov Ivanchev, 39 vjeç – akuzohen se kanë kryer spiunazh mbi individë dhe vende të interesit për Rusinë.
Ndër ata që thuhet se ishin targetuar ishte një gazetar bullgar, i cili ka punuar me disidentin rus të ndjerë Alexei Navalny. Ky gazetar thuhet se ka qenë subjekt i diskutimeve për vrasjen ose rrëmbimin e tij dhe dërgimin në Moskë.
Diskutime të tjera të pretenduara kishin të bënin me dërgimin e dy të akuzuarave femra në një kurth për të kapur më shumë informacione.
Alison Morgan KC, duke hapur rastin për prokurorinë të enjten, tha: “Për një periudhë gati tre vjet, ata kërkuan të mbledhin informacione për përfitim të Rusisë, një armiku të Mbretërisë së Bashkuar, informacione mbi disa targete, si njerëz ashtu edhe vende fizike. Informacione të cilat kishin interes të veçantë për shtetin rus. Aktiviteti i tyre shkaktoi dëme të dukshme dhe të pashmangshme për sigurinë dhe interesat e Mbretërisë së Bashkuar.”
Ajo tha për aktivitetet e supozuara të të akuzuarve: “Ishte një aktivitet me rrezik të lartë dhe ishte shumë i sofistikuar. Të akuzuarit fituan shuma të konsiderueshme për atë që po bënin. Asnjë prej tyre nuk angazhohej në këtë aktivitet pa e ditur mirë atë.”
Të akuzuarit supozohet se kanë punuar me një numër personash të tjerë që spiunuan për Rusinë ndërmjet vitit 2020 dhe 2023 në Londër, Vjenë, Valencia, Mal tw Zi dhe Stuttgart.
Rrjeti i spiunëve përfshinte edhe dy të akuzuar të tjerë, Orlin Roussev dhe Biser Dzhambazov, të cilët pranuan fajësinë për akuzat e spiunazhit, tha gjykata.
Morgan tha se të akuzuarit kishin bërë plane me një agjent rus, Jan Marsalek, i cili njihej si “Rupert Ticz” dhe thuhet se ishte shtetas austriak, për të siguruar materiale të dobishme për Rusinë.
Gjykatwsit u informuan se Dzhambazov, 43 vjeç, ishte në një marrëdhënie me të dy Ivanovën dhe Gaberovën, dhe kjo e fundit ka qenë më parë e lidhur me Ivanchev.
Gjykata u informua se mesazhe u shkëmbyen midis Marsalek dhe Roussev, ku ata diskutuan “opsionet” lidhur me Christo Grozev, një gazetar bullgar që ka qenë hetuesi kryesor për Rusinë në Bellingcat, grupin e njohur të gazetarëve investigativë.
Këto opsione thuhet se përfshinin kryerjen e mbikëqyrjes mbi të, rrëmbimin e tij dhe dërgimin në Moskë, vrasjen e tij dhe infiltrimin në Bellingcat.
Të akuzuarit mohojnë se kanë bashkëpunuar për të mbledhur informacione për një qëllim që dëmton sigurinë dhe interesat e shtetit ndërmjet 30 gushtit 2020 dhe 8 shkurtit 2023. Ivanova gjithashtu mohon se ka pasur 18 dokumente false identiteti, përfshirë pasaporta britanike dhe dokumente të tjera./gazetaexpress/