Taulanda, Mimoza, Saranda, Altina dhe Vlora ishin gratë që u ngjitën në skenën e teatrit “Hadi Shehu”, në Gjakovë për t’i dhënë zë monodramës “Malkony” shkruar nga Taulanda Jupi. Kjo nismë erdhi si rrjedhojë e tetorit rozë, i njohur si muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Ky projekt u krijua me idenë që të transmetojë një mesazh shprese, që gratë të kenë mundësi të zgjedhin. “Duaje veten, zgjidh jetën” ishte një nga shprehjet që autorja zgjodhi të përmend duke uruar që dëshira për jetë të zgjohet te secila grua që është e prekur nga kjo sëmundje.
Një mesazh për të gjitha ato gra që janë kudo ku flitet dhe frymon shqip pati edhe Mimoza Kusari Lila, kandidate për kryetare të Gjakovës.
Pati momente kur lotët i tradhëtuan të pranishmet teksa po lexonin në mënyrë artistike pjesë nga monodrama “Malkony”, aty ku janë të përfshira historitë e vërteta të grave që kalonin udhëtimin e vështirë. Në shenjë solidarizimi në skenë u ngjit edhe Sevdije Tara Haxhibeqiri për të dhuruar flokët e saj.