Ish i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogin mes Kosovës dhe Serbisëm Richard Grenell, ka komentuar mbi ngjarjen e ndodhur në Uzinën Ushtarake të Gramshit, ku një shtetas rus, i dyshuar si spiun, u fut në rrethimin e uzinës dhe pas përleshjes me dy ushtarakë, të cilët i spërkati me një agjent neuroparalizes, u neutralizua prej tyre.
Një shtetase tjetër ruse dhe një shtetas ukrainas, u kapën ndërkaq më vonë, si bashkëpunëtorë të rusit.
Teksa Grenell, në profilin e tij zyrtar në Twitter, pas mësimit të lajmit, ka kërkuar që dy ushtarakët shqiptarë, të nderohen me medalje.
“Mos u kruani me forcat shqiptare të sigurisë!”, shkruan ish-ambasadori amerikan në Gjermani. “Shpresoj t’i jepet një medalje ushtarëve. Janë heronj”.
Një mirënjohje ndaj dy ushtarakëve shqiptarë, të cilët u përballën me një agresor rus në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka shkuar nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili garantoi edhe mbështetje të pakursyer për ta.
“Mirënjohje dy ushtarakëve tanë që sakrifikuan për të ruajtur një objekt strategjik siç është uzina e Gramshit. Bisedova me ta dhe u garantova mbështetjen e pakursyer timen dhe të Ministrisë së Mbrojtjes”, shkruan ministri.
Nga ana tjetër, për të vizituar dy ushtarët në ambientet spitalore ka shkuar edhe shefi i sapozgjedhur i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, gjeneral brigade Arben Kingji.
Të dy efektivët ushtarakë duken në gjendje të mirë shëndtësore nga fotografitë e publikuara prej ministrit Peleshi, pavarësisht faktit se u sulmuan me agjent neuroparalizues nga mësymësi rus në Uzinën e Gramshit.
Ndërtimi i ngjarjes
Një ngjarje e rëndë e ndodhur në Uzinën Ushtarake Çekin në Gramsh, është zbardhur nga Policia e Shtetit, ku janë bërë me dije detajet e plota si edhe mënyra se si u plagosën dy ushtarë shqiptarë, por të cilët arritën ta ndalonin mësymësin në Uzinë.
Në njoftimin zyrtar nga Policia e Shtetit, bëhet me dije se ka pasur një njoftim, se në afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.
Në këtë çast, dy ushtarakë, të cilët ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar personit për ta ndaluar.
Ky i fundit, është kundërpërgjigjur nëpërmjet një spraj neuroparalizues, duke i kapur ushtarët në befasi.
Pavarësisht këtij fakti, ata kanë arritur ta neutralizojnë shtetasin Mikhail Zori, 24 vjeç, i cili më vonë është identifikuar si qytetar rus dhe është dërguar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh.
Në çantën e tij, është gjetur një pajisje spiunazhi, në çipat e të cilës janë zbuluar fotografi të Uzinës, të kryera në dy ditët e fundit.
Po ashtu, një njoftim në rrugë operacionale ka ardhur në strukturat e Policisë, duke bërë me dije se shtetasi rus, ishte i shoqëruar nga dy të tjerë.
Policia ka ngritur menjëherë pika kontrolli dhe ka bërë krehjen e zonës.
Disa minuta më vonë, është bërë e mundur kapja e dy personave të tjerë, të cilët gjendeshin në një automjet të tipit “Chevrolet”.
Një shtetase ruse, Svetlana Timofoeva, 33 vjeç dhe një shtetas ukrainas, F.A., 25 vjeç, janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.
Të tre personat, kanë deklaruar se janë turistë në Shqipëri, por aparatura e gjetur, nuk e justifikon aspak alibinë e tyre.
Grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të arsyeve pse këta tre të huaj ndodheshin në Uzinën Ushtarake të Gramshit.
Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. /Albanianpost.com