Goditje për Google në Japoni, ndalohet shitja e Pixel 7 pas shkeljes së patentave

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Google, është shpallur fajtor për shkelje të patentave nga një gjykatë distrikti në Japoni, duke rezultuar në ndalimin e shitjes së telefonave Pixel 7 në këtë treg.

Kompania koreane e teknologjisë, Pantech, kishte ngritur një padi ndaj Google, duke akuzuar atë për përdorim të paautorizuar të një patente që lidhet me funksionimin e modemit LTE – konkretisht mënyrën e komunikimit mes telefonit dhe stacioneve bazë.

Sipas mediave ndërkombëtare, gjykata vendosi në favor të Pantech, duke konstatuar se Google kishte shkelur patentën pa një marrëveshje të vlefshme licence.

Si pasojë, autoritetet japoneze urdhëruan tërheqjen nga tregu të të gjitha njësive të telefonit Pixel 7, pasi Google nuk pranoi të bashkëpunojë dhe refuzoi të paguajë tarifën për licencimin e teknologjisë, si dhe të zbulojë numrin e pajisjeve të shitura në Japoni.

Në Japoni, seria Pixel renditet e dyta për nga shitjet, pas iPhone, dhe para gjigantëve të tjerë si Samsung dhe Xiaomi.

Ndërkohë, Pantech ka paralajmëruar se ka nisur një padi të re ndaj Google, këtë herë duke synuar modelet më të reja – Pixel 8 dhe Pixel 9 – të cilat mund të përballen me të njëjtin fat nëse nuk arrihet një marrëveshje mes dy kompanive. /GazetaSinjali/

Read Previous

KQZ-ja me njoftim me rëndësi për votuesit nga këto katër komuna

Read Next

Superkompjuteri parashikon shanset e klubeve për të fituar Kupën e Botës për Klube