Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar dy shtetas të Kosovës për trafikim të armëve.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit bëhet e ditur se është finalizuar operacioni policor i koduar “Suspend”, ku është goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen,.
“Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë të cilët dyshohet se i kanë trafikuar 2 pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10 000 euro.
Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Suspend’, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Policia njofton se po vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë. /Telegrafi/