Gjykimi në çështjen ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK); Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari do të fillojë më 14 nëntor, në ora 09:30.
Lajmi është bërë i ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në seli në Hagë.
Në njoftim theksohet se në këtë datë, dhe potencialisht të nesërmen, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes të Januzit dhe Shalës do t’i paraqesin deklaratat e tyre hyrëse, ndërsa Mbrojtja e Bahtijarit ka bërë të ditur preferencën për të paraqitur deklaratën hyrëse pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ZPS-ja.
Po ashtu, bëhet me dije se paraqitja e provave nga ZPS-ja do të nisë të hënën, më 9 dhjetor, në ora 09:30.
Për çka po akuzohen Shala, Januzi dhe Bahtjari?
Sipas aktakuzës të Prokurorisë së Speciales, Haxhi Shala, i njohur si komandat “Topi”, së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.
“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.
Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.
Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, të hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës. /Albanianpost.com
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.