Gjykata Speciale shkon në pushim dimëror

Ekipi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, përfshirë gjykatësit e prokurorët, nga kjo e hënë (18 dhjetor) kanë hyrë në pushim dimëror. Pushimi do të zgjasë 18 ditë, deri më 5 janar 2024, njoftoi të hënën DHSK-ja, ndërsa seancën e parë pas përfundimit të pushimit, do ta ketë më 9 janar, kurse të fundit për këtë muaj më 31 janar.

“Gjatë kësaj periudhe nuk zhvillohen seanca dhe disa shërbime jo esenciale janë reduktuar në minimum. Megjithatë, gjykata mbetet plotësisht funksionale gjatë kësaj periudhe dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së. Regjistrimet janë të mundshme gjatë pushimeve dhe, përveç nëse urdhërohet ndryshe nga gjyqtarët, afatet gjyqësore vazhdojnë të ecin”.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. E ashtuquajtura Gjykatë Speciale shpalosi aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – për krime të pretenduara të luftës.

E aktakuza e përbashkët ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së – Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala – do të dorëzohet jo më vonë se 12 janari i vitit të ardhshëm, pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e çështjeve gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për pengim të administrimit të drejtësisë.

Shala dyshohet se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me Januzin dhe Bahtjarin, ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë para DHSK-së. Shala është arrestuar javën e kaluar, kurse Januzi e Bahtjari janë arrestuar në tetor.

Të tre akuzohen nga ZPS-ja për vepra penale në një periudhë të njëjtë kohore dhe në masë të madhe për vepra penale të kryera si grup. Megjithatë përgjegjësia më e madhe i atribuohet ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili portretizohet si udhëheqës i grupit. /Albanianpost.com

Read Previous

Intervista: Përmbyllja e Vitit 2023 – Adelina Shehu – Kola, drejtoreshë për Shëndetësi

Read Next

Policia konfiskon dy armë gjuetie, fishekë e gjëra tjera në Leposaviq