Gjobë prej 450 euro për një turist që hante akullore afër një shatërvani në Romë

Një turist nga SHBA-ja është gjobitur me 450 euro teksa ndodhej në Romë, pasi ka ngrënë dhe pirë teksa është ulur buzë një shatërvani.

55-vjeçari u ul në buzë të shatërvanit rreth orës 1 të mëngjesit të së shtunës dhe filloi të hante akullore, pas së cilës u ndalua nga policia dhe u gjobit për shkak të ligjeve për mbrojtjen e monumenteve, të cilat synojnë të ruajnë një pamje të mirë të qytet, raporton CNN.

La fontana dei Catecumeni, e cila është një vend takimi popullor në lagjen Monti, është vepër e Battista Rusconi dhe daton nga viti 1589. Ajo mbrohet nga rregullat e prezantuara për herë të parë në vitet 70 për të ruajtur shatërvanet historike, statujat dhe monumentet e tjera. Ligjet e përditësuara me fokus në ruajtjen e “gjelbërimit” të qytetit janë në fuqi që nga viti 2019. Zakonisht ka një shirit rreth shatërvanit për të parandaluar uljen në të, por në këtë natë të veçantë shiriti nuk ishte në vend.

Mbrojtje nga mbiturizmi?

Rregullat, përveç ndalimit të të ngrënit, përfshijnë edhe ndalimin e konsumimit të pijeve alkoolike në rrugë, organizimin e xhirove nëpër lokale me pije alkoolike dhe larjen në shatërvanët e qytetit.

Policia lokale tha se ka kryer më shumë se 300 ndërhyrje fundjavën e kaluar. Oficerët mund të shqiptojnë gjoba dhe madje të ndalojnë njerëzit të hyjnë në një zonë të caktuar për një periudhë prej 48 orësh. Shkelësit e përsëritur mund të ndalohen deri në 60 ditë.

Kur u prezantuan këto rregulla, këshilli i qytetit tha se ato “kanë të bëjnë me shumë aspekte të jetës së qytetit, me vëmendje të veçantë për respektimin e trashëgimisë artistike dhe kulturore të kryeqytetit”.

Rregullat janë edhe në shërbim të luftës kundër turizmit të tepruar, sepse Roma ka problem me shumë vizitorë. Përpara pandemisë së koronavirusit, rreth 10 milionë turistë vinin në Romë çdo vit./Alsat.mk/

Read Previous

Një qytet në Holandë është i pari në botë që ndalon reklamat për shumicën e produkteve të mishit

Read Next

Spalletti lavdëron Rrahmanin pas paraqitjes me Liverpoolin