Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake.
Në vendin ku do të bëhet çarmatimi, u pa një arsenal armësh të ndryshme, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për sponsorizimin e sulmeve terroriste të së dielës në territorin e Kosovës.
Ai ka bërë thirrje që shteti serb të mbahet përgjegjës për “sponsorizimin e dhunës terroriste në territorin e Kosovës”.
“Këto armë dhe pajisje të nivelit ushtarak – të sekuestruara në operacionin antiterror të Policisë së Kosovës pas sulmit të djeshëm – nuk lënë vend për dyshim: autorët s’vepruan të vetëm, por me mbështetjen e shtetit. Serbia duhet të mbahet plotësisht përgjegjëse për sponsorizimin e dhunës terroriste në territorin e Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se ka dokumente që dëshmojnë se krimineli serb, Milan Radojiçiq, është i përfshirë drejtpërdrejtë në sulmin terrorist në veri të vendit ku u vra polici Afrim Bunjaku, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ministri deklaroi se në një nga automjetet e sekuestruara që është përdorur nga grupi terrorist, janë gjetur dokumente të Radojiçiqit.
Ai tha se këto dokumente dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion, derisa edhe detaje se çfarë dokumentesh janë gjetur saktësisht.
“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.
Agjencia e lajmeve “Asociated Press”, ka publikuar edhe pamje ku shihen terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës, duke ikur nga Manastiri i Banjskës.
Aty shihen dhjetëra terroristë duke u ngjitur maleve. Të njëjtit kanë sulmuar dje në orët e para të mëngjesit Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë policin Afrim Bunjaku.
Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në një hotel në Banjskë të Zveçanit, të cilët dyshohen për armëmbajtje pa leje.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, i tha gazetës online Reporteri.net se dy të dyshuarit, punonjës të këtij hoteli, u arrestuan pasi në parking të hotelit u gjend një veturë e mbushur me armë.
I pyetur se a dyshohen për përfshirje në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, Elshani tha se njëherë jo, por se hetimet vazhdojnë.
Aktualisht, situata në veri të vendit raportohet të jetë e qetë.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.
Të hënën i dërguari i evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan për situatën në Kosovë dhe bisedimet mes palëve.
“Këshillime të ngjeshura dhe shumë thelbësore me këshilltarët kryesorë diplomatikë (të Francës, Emmanuel) Bonne, (të Gjermanisë, Jens) Plotner, (të Italisë, Francesco) Talo dhe të dërguarin Escobar. Diskutuam për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe situatën në veri. Mirënjohës për mbështetjen e tyre”, shkroi Lajçak pas takimit.
Zyrtarë të BE-së thanë se ai është vënë në përpjekje për takime të reja në Prishtinë dhe Beograd në orvatje për ripërtëritjen e bisedimeve, raundi i fundit i të cilave që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, nuk shënoi ndonjë përparim.
Po dje reagoi edhe Samerikan i Shtetit, Antony Blinken, i i cili ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, derisa ka bërë thirrje në vazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Reporteri.net.
“Ne u bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet, dhe menjëherë të punojnë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për shtensionimin e situatës, të ofrojnë siguri dhe sundim të ligjit dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Blinken.
Sipas kryediplomatit amerikan, Policia e Kosovës “ka përgjegjësi të plotë për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni e vlerëson koordinimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe atë të NATO-s, KFOR, “veçmas për të ofruar siguri për civilët në vendngjarje”, duke shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta monitorojë situatën.
Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën. /Reporteri.net/