Gjermania ndan 10 milionë euro shtesë për OBSH-në

Image credit: Reuters

Gjermania ka rritur ndihmën e saj për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) me 10 milionë euro (11,2 milionë dollarë) në përgjigje të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga organizata, njoftoi dje ministrja e Shëndetësisë Nina Warken, në Gjenevë.

Gjermania kishte kontribuar tashmë 2 milionë euro shtesë në fillim të prillit. Me kontributet e shtuara, qeveria gjermane synon të mbështesë organizatën me qendër në Gjenevë – pas largimit të SHBA-së, kontribuesit të saj më të madh.

Tërheqja e Uashingtonit, e urdhëruar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2026.

Warken, duke folur gjatë një takimi me drejtorin e përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë, tha se ishte e rëndësishme që organizata të avanconte procesin e saj të reformës dhe të përqendrohet në detyrat e saj kryesore.

Këto përfshijnë monitorimin global të shëndetit, përgatitjen për pandemi, kontrollin e sëmundjeve dhe aksesin e barabartë në kujdesin mjekësor.

Warken ndodhet sot në Gjenevë për hapjen e asamblesë vjetore të OBSH-së, gjatë së cilës pritet të miratohet një marrëveshje e finalizuar për pandeminë.

Gjermania tashmë e ka mbështetur OBSH-në me afërsisht 290 milionë euro gjatë 2-vjeçarit 2024-2025, sipas shifrave të ministrisë.

Marrëveshja e re për pandeminë i angazhon vendet të forcojnë sistemet e tyre shëndetësore dhe të monitorojnë mbretërinë shtazore. Shpërthimet e sëmundjeve duhet të zbulohen shpejt dhe të parandalohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Marrëveshja synon gjithashtu të rregullojë prokurimin e pajisjeve mbrojtëse dhe shpërndarjen e vaksinave. Marrëveshja ende duhet të ratifikohet nga vendet pjesëmarrëse. /ATSH-DPA/

Read Previous

​Messi: Rivaliteti me Ronaldon ishte ‘luftë’ në vete

Read Next

Faton Peci thotë se është në dorën e opozitës që të ketë ndonjë risi në Kuvend