Gjeneron miliarda në kriptomonedha, SHBA dhe Gjermania godasin “parajsën” e hakerëve rusë

Departamenti i Thesarit amerikan deklaroi se është ndërmarrë një nga operacionet më të mëdha për të goditur tregtinë në të ashtuquajturin “dark web”, ato pjesë të Internetit e fshehur për pjesën më të madhe të personave, por ku mund të tregtohet praktikisht çdo gjë ilegale, shpesh herë me anë të kriptomonedhave.

Në rastin konkret, bëhet fjalë për një network rus të quajtur Hydra, aktiv nga viti 2015 dhe i aksesueshëm vetëm përmes disa programe specifike, që është përdorur për trafiqe të ndryshme ilegale për një vlerë paraprake që përllogaritet në rreth 6 miliardë dollarë në bitcoin dhe kriptomonedha të tjera.

Të paktën 8 milionë dollarë nga ky lum parash është identifikuar nga autoritetet amerikane si fond për kompani hakerësh që kanë goditur kompani në SHBA.

Një operacion paralel kundër Hydra u zhvillua edhe në Gjermani, duke mbyllur disa servera dhe duke kryer sekuestron e 25 milionë dollarëve në kriptovaluta.

Rusia është shqetësim i madh për shkak se cilësohet si një parajsë për hakerat, shpesh herë e toleruar dhe madje e nxitur nga Kremlini si armë kundër shteteve të ndryshme.

“Mundësia që këtyre kriminelëve për të vepruar të patrazuar në territorin rus, është shqetësuese për Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Sekretarja e Thesarit Janet Yellen.

Sulmet kibernetike po përdoren edhe në konfliktin ukrainas. Pritet që Shtëpia e Bardhë të financojë Kievin për asistencën kundrejt këtyre sulmeve. Javën e kaluar, hakerët rus goditën një nga kompanitë kryesore të telekomunikacionit në vend, duke e çuar atë në rreth 13% të kapacitetit që kishte para konfliktit.  

/A2news/

Read Previous

Grabitet poligoni me armë në SHBA, vriten 3 anëtarë të një familje

Read Next

Shakhtar Donetsk luan për herë të parë që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë