Gjashtë raste të dhunës në familje në një ditë

Gjatë fundjavës që lamë pas është shënuar një numër i konsiderueshëm i rasteve të dhunës në familje në Kosovë.

Burimet brenda Policisë bëjnë të ditur se vetëm në Prishtinë janë raportuar dy raste të dhunës në familje, ku sipas këtyre burimeve rasti i parë ka ndodhur dje, rreth orës 11:30, në rrugën “Lidhja e Lezhës”, ku një person ka keqtrajtuar babain e tij.

Gjithashtu këto burime bëjnë me dije se gjatë pasdites në lagjen “Mati 1”, një person ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore, për të cilat asaj i është dashur që të pranojë tretman mjekësor.

Gjatë ditës së djeshme është raportuar për një rast të dhunës në familje edhe në Fushë Kosovë, në rrugën “Rexhep Hasani”, ku dy shtetas gjerman kanë ofenduar dhe kërcënuar nënën e tyre, po ashtu shtetase gjermane dhe pas arrestimit të tyre janë dërguar në mbajtje.

Rastet e dhunës në familje janë evidente dhe pothuajse të pandalshme nga organet e rendit, ku krahas Prishtinës dhe Fushë Kosovës raste të dhunës në familje janë raportuar në Podujevë, Gjakovë e Istog.

Në fshatin Obranqë të Podujevës, djali ka kanosur babain e tij dhe pas kryerjes së kësaj vepre penale, i njëjti ka ikur dhe ende gjendet në arrati.

Në Gjakovë, në rrugën “Ali Ibra”, një person është arrestuar për shkak se dyshohet se ka keqtrajtuar nënën e tij dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Burimet brenda Policisë bëjnë me dije se pasditen e djeshme, një rast i dhunës në familje është shënuar edhe në Komunën e Istogut, ku vëllau ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij.

Këto burime bëjnë me dije se i dyshuari pas kryerjes së veprës penale është dërguar në mbajtje./Gazeta Sinjali

Read Previous

Pritet verdikti përfundimtar i UEFA-s për Superligën Evropiane

Read Next

Presidenti i PSG-së flet për të ardhmen e Mbappe