Ministria e shëndetësisë ka publikuar një raport në të cilat prezantohen të dhënat e detajuara në numra dhe përqindje të të vaksinuarve me dozat e vaksinës anti covid. Deri në mesditen e sotme, në top dhjetëshen e komunave me numrin më të madh të të vaksinuarëve sipas vendbanimit, pas Prishtinës me 88681 të vaksinuar dhe Prizrenit me 37268 të tillë, komuna e Gjakovës renditet e treta me masën më të madhe të të imunizuarëve, numri i të cilës arrin shifrën në 35699 persona.
Në të njejtën rënditje, Gjakova është edhe sa i përket numrit të imunizimeve sipas vendbanimit në bazë ditore, ku mesatarisht imunizohen rreth 768 persona në ditë. Raporti gjithashtu bënë të ditur se 66% e qytetarëve të Kosovës janë imunizuar me dozën e parë të vaksinës, ndërkaq 34% figurojnë të kenë marrë dozën e dytë, ku sipas gjinisë këto statistika tregojnë se përqindje më të madhe të vaksinimit ka gjinia mashkullore me gjithsej 53% ndërsa gjinia femërore figuron me 47%. Ndërkaq nga profesionet, me numrin më të vogël të të vaksinuarëve janë mjekët me gjithsej 6899 të imunizuar ndërsa të parët në këtë renditje janë të pensionuarit me numër prej 134,708 në nivel vendi. Theksojmë se imunizimi i bazuar në grupmoshë, përqindjen më të lartë e zënë moshat nga 61 deri në 80 vjeç.
Nga i gjithë ky raport mund të themi se ecuria e vaksinimit në komunën e Gjakovës duket të jetë duke vazhduar sipas planifikimeve dhe numri i të vaksinuarve nga dita në ditë po shënon rritje.